E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kod zgjedhor virtual

22-11-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Çka do të lexohet, nuk ka trajtën juridike të përpiluar nga kompetentët, në një formë ligjore të mirëfilltë. Por ato nene të supozuara nuk janë të privuara nga një domethënie logjike, së paku. Për shembull, asnjë klauzolë ligjore në BE nuk i jep prioritet kutisë, ndaj vullnetit të lirë të individit, të shprehur në fletëvotimin.  Përvoja e 2011-s solli  mjaft humbje kohe për fletëvotimet e shpërndara në kuti votimesh nga më të ndryshmet. Në aq pak kohë sa ka në dispozicion votuesi, prapa të cilit është personi tjetër, ai vetë nuk mund të ketë aftësinë që të jetë i pagabueshëm në punë sekondash. Orientuesit, në përgjithësi, u ofruan vetë për këtë detyrë. Dhe dihet se të cilit krah ishin.
Kodi Zgjedhor i 2011-s, gjithmonë në përmirësim progresiv për shkak të ndodhive të padëshiruara të zgjedhjeve të kaluara, nuk lejoi që të përsëritej sërish ajo dukuri e hidhur e  mëparshme, që të  braktiseshin arbitrarisht kutitë e votimit, duke marrë me vete edhe vulën, e duke bllokuar – në këtë mënyrë, - ecurinë normale të votimit. Në zgjedhjet e fundit kjo nuk ndodhi. Sepse u dublikuan vulat dhe, nga ana tjetër, braktisësit do të viheshin menjëherë para përgjegjësisë ligjore.
Është e tepërt të themi, edhe në këtë rast, se cilat nga forcat politike kanë abuzuar në këto braktisje, që u bënë të tepruara.
Tani po flitet për përmirësime të Kodit Zgjedhor në dobi të partive të vogla. PS-ja bën amendamentet që i interesojnë, shpesh jo në përputhje me frymën e përçuar nga OSBE-ODIHRI. Edhe vërejtjet tona janë në dobi të PD-së. Por që përkojnë, siç mendojmë, me frymën europianiste.
Si pasojë, janë mendime që shmangin ekuivoke si ato që na turbulluan atmosferën, me gomat e djegura në autostradë dhe me mësymje sipër kangjellave të selisë ku Komisioni Qendror Zgjedhor zhvillonte punimet.
Policia mori notë superlative nga faktori monitorues për kujdesin policor që të mbante në drejtpeshim sulmuesit e të mos rrëzoheshin mbi heshtat e kangjellave.
Dhe eja e dëgjoje, pastaj,  propagandën zhurmuese të ...  viktimave të pafajshme!
Aleanca për qytetarin ka qenë përherë e kujdesshme dhe lëshuese ndaj Aleancës për të Ardhmen. Por kësaj të fundit, asgjë s’iu bë e mirë...
Në këtë forcë politike zgjedhore dëgjohej vetëm një zë. Nuk ka nevojë ta përmendim, se nënkuptohet. Nuk dëgjohej as zëri i përkorë brenda radhëve.
*   *   * 
Neni n  : Kandidatët do të cilësojnë njëri-tjetrin, gjatë fushatës zgjedhore, me emërtimin zoti X, jo X-i. Kundërvajtësit do të gjobiten me…(lekë).
Neni n+1  : Vota e vlefshme është ajo e fletëvotimit, pavarësisht nga kutia.
Neni n+2  : Orientuesi për kutitë e votimit: Do të vetëngarkohet një biznesmen që do të vërë si depozitë një shumë prej a milionash. Nëse diferenca e kutive të gabuara do të jetë më e madhe se tre në selinë e votimit për të cilën ai përgjigjet, i vetëngarkuari për këtë shërbim do të humbasë shumën e depozituar dhe do të procedohet. Përndryshe ai do të shpërblehet me shumën prej b milionash, si edhe do të marrë depozitë-garancinë.
Neni n+3  : Vetëshpallja si fitues është atribut i Kodit Qendror Zgjedhor, jo i kandidatit të interesuar.  Abuzuesi gjobitet me...
Neni n+4 : Meqë zgjedhjet e një teknologjie të lartë vëzhguese u japin mundësinë qytetarëve të shohin në imtësi të gjitha proceset zgjedhore, që nga marrja e kutive në depon e Lundrës, (me kamera vëzhgimi), e deri në Komisionin Qendror Zgjedhor, ndalohet shprehja retorike “na u vodhën votat”, e cila duhet zëvendësuar konkretisht, me “hajduti është y-i!”. Shmangia e këtij neni gjobitet me ...
Neni n+5 : Ndalohet propaganda e fajësimit tërësor të komisionarëve, duke i akuzuar globalisht me cilësime përbuzëse (si “tradhtarë etj.). Gjobitja me...
Neni n+6 : Kartat biometrike të identitetit nuk shpallen në mënyrë masive  të falsifikuara. Përdoruersi  cilësohet me emër si falsifikator.  Kundërvajtësit e këtij neni gjobiten me...
Neni n+7 : Këshilltarët e komunave kanë tagër të votojnë në mënyrë të pavarur. Nuk mund të akuzohen si “të blerë”, pa vërtetuar konkretisht “abuzimin”. Kundërvajtësit e këtij neni gjobiten me...
Neni n+8 : Në respektim të sa më sipër, kundërshtarët politikë do të pranojnë humbjen ose fitoren ndershmërisht, pasi të shpallen nga organet përkatëse.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›