Partitë Popullore Europiane, mbështetje unanime për vazhdimësinë e qeverisë “Berisha”
Kryetari i grupit të punës Paneuropian në PE, Paul Rubig përshëndeti dje alternativën politike që ka ofruar PD më 23 qershor dhe ka konfirmuar se faktori politik në Bruksel nuk aprovon vendimin e Ramës që synon të bllokojë aprovimin e tre ligjeve të integrimit
Arritjet e qeverisë “Berisha” kanë tërhequr vëmendjen e parlamentarëve europianë. Ishte anëtari i këtij parlamenti, Paul Rubig, ai i cili ka përcjellë përgëzimet e tij për reformat dhe arritjet qeverisjes aktuale në vendin tonë.
Në vlerësimin e Rubig, mazhoranca është e fuqishme edhe pas largimit të një partneri të vogël nga koalicioni qeverisës. “Në sfondin e largimit të një partneri të vogël të koalicionit drejt opozitës socialiste, kjo është një shenjë e fuqisë të Partisë Demokratike në vend”, theksoi.
Kryetari i grupit të punës Paneuropian në Parlamentin Europian nënvizoi se, “PPE mbështet qeverinë Berisha për arritjet në anëtarësimin e vendit në NATO, liberalizimin e vizave. Qeveria Berisha ka shënuar përpjekje të mëdha për anëtarësimin e vendit në BE. Nuk e aprovoj vendimin e liderit të opozitës socialiste Edi Rama që synon të bllokojë aprovimin e tre ligjeve që është kërkuar nga Komisioni Europian në tetor të vitit 2012”. Rubig kërkoi që në zgjedhjet e ardhshme shqiptarët të mbështesin qeverinë aktuale, si garancia më e mirë për integrimin në BE. “Me zgjedhjet e përgjithshme që po afrohen, dëshiroj të shpreh shpresën time se shqiptarët do të vazhdojnë të mbështesin qeverinë aktuale që ka arritur të anëtarësojë vendin në NATO, liberalizimin e vizave, si dhe përfitime të tjera të shumta për popullin e saj. Vendet e Bashkimit Europian kanë një interes të fortë për një qeveri të qëndrueshme në Shqipëri dhe qëndrimi i Partisë Demokratike në pushtet do të ishte garancia më e mirë për këtë”, deklaroi ai.