E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak, 27 të vdekur nga një seri atentatesh

Të paktën 27 persona kanë humbur jetën dhe rreth 35 të tjerë u plagosën nga një seri atentatesh që kishin vënë në shënjestër besimtarët që po dilnin nga disa xhami shiite në rajonin e Bagdadit. Lajmi është bërë i ditur nga burimet irakiane të sigurisë. "Të paktën 22 persona u gjetën të vdekur dhe 25 të tjerë të plagosur nga shpërthimi i një bombe në një parking të xhamisë Al Kurufi në lagjen Al Kaab, në verilindje të Bagdadit", deklaroi një nga burimet. Kjo xhami frekuentohej nga simpatizantë të udhëheqësit radikal shiit, Moktada Sadër.
Ndërkohë që dy bomba të tjera shpërthyen në momentin kur besimtarët po dilnin nga xhamia Rasul al Azam në Jisr Dijala, në një lagje në jug të Bagdadit, në përfundim të faljes së përjavshme të së premtes.
"Katër besimtarë u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën nga shpërthimi i këtyre dy bombave", shtoi i njëjti burim.
Në lagjen Zafaranijah, në jug të Bagdadit u vra një besimtar dhe tre të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një bombe para një xhamie.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›