E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak: Trupat amerikane të ikin para vitit 2011

Qeveria irakiane ka aprovuar një marrëveshje të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas së cilës trupat amerikane duhet të tërhiqen krejtësisht nga territori i vendit para fundit të vitit 2011. Marrëveshja është aprovuar me 28 vota pro, mes 38 të mundshmeve. Në mënyrë që marrëveshja të paraqitej zyrtarisht në Parlament lipsej aprovimi i saj prej dy të tretave të autoriteteve më të larta qeveritare në vend. Ndërkohë që në Parlament, aprovimi i kësaj marrëveshjeje mund të arrihet thjesht përmes shumicës së votave.

150 mijë ushtarë

Marrëveshja është rezultat i negociatave të shumta të nisura që një vit më parë dhe që shpesh ka marrë tone tepër të ashpra. Parashikon largimin nga trualli irakian të rreth 150 mijë ushtarëve amerikanë, të cilët janë të shpërndarë aktualisht në më shumë se 500 baza. Sipas marrëveshjes, ushtarët amerikanë të instaluar në territoret e qyteteve, do të largohen brenda vitit 2009, ndërsa nga i gjithë territori i vendit brenda vitit 2011, ose më saktë, tetë vjet pas rrëzimit të regjimit të Sadam Huseinit.

Mbledhja e Këshillit të Ministrave zgjati rreth dy orë. Kryeministri Nuri Al Maliki, i cili ka investuar shumë energji për arritjen e këtij akordi, ishte praktikisht i bindur që do të arrinte të merrte shumicën e votave, pasi mund të mbështetej te aprovimi i koalicionit shiit dhe të partive kurde, të cilat së bashku numërojnë 19 ministra. Kishte pas vetes edhe mbështetjen e të pavarurve dhe të një pjese të ministrave sunitë.

Vendimi parlamentar

Parlamentit tani i duhet të procedojë me një proces votimi në dy faza, të cilat nuk mund të jenë më shumë se gjashtë ditë larg njëra-tjetrës. Do të pasojë ratifikimi i marrëveshjes nga Këshilli Presidencial dhe vetëm në këtë pikë do mund të procedohet me firmosjen zyrtare të marrëveshjes mes amerikanëve dhe irakianëve, gjë që me shumë gjasa do të bëhet në Uashington mes Kryeministrit Nuri Al Maliki dhe Presidentit amerikan Xhorxh Bush, për të cilin ky mund të jetë veprimi i fundit i rëndësishëm para dorëzimit të detyrës më 20 janar të vitit të ardhshëm.

Nga ana e Shtëpisë së Bardhë, dokumenti që përcakton datën e largimit të ushtarit të fundit amerikan nga trualli irakian, është më se i arsyeshëm dhe i kënaqshëm për të dyja palët. Edhe Ajatollah Sistani, autoriteti më i rëndësishëm fetar shiit në Irak, ka dhënë jo zyrtarisht miratimin për dokumentin, duke e konsideruar të kënaqshëm për popullin e vet. Marrëveshja shërben njëherësh për t‘i veshur një kuadër juridik të qartë pranisë ushtarake amerikane në Irak, në prag të përfundimit të mandatit zyrtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili skadon ditën e fundit të vitit 2008.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›