E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enisi dhe "5 diamantet Zeiter"

Ai është aty mes të mëdhenjve. Konkurrent njësoj në stendë si nobelistët, njësoj mes shkrimtarëve më të vlerësuar në kohë. Quhet Enis Banaj dhe është 15 vjeç. Sapo ka botuar "Edel (Rune) Stein, Hija e së vërtetës", vëllimin e parë të serisë së romaneve fantashkencore që mban titullin "5 diamantet Zeiter". Në mendje i ka thurur të pestë vëllimet. Por ky që u promovua në Panairin e Librit është vetëm i pari. Enisi ka vendosur të sjellë para lexuesit pesë diamante që mund të vendosin, ose të shkatërrojnë paqen. Ngjarjet i ka vendosur në vitin 2367. Një takim me alienët të fton të njihesh me pjesën e parë të këtij vëllimi të parë... Më pas ngjarjet rrjedhin natyrshëm, një nga një shfaqen edhe personazhet. Mes tyre edhe Zeiter, një personazh misterioz, emri i të cilit vjen nga gjuha gjermane, që do të thotë kohë. Libri është i lidhur ngushtë me këtë koncept. Enisi tregon se gjithçka lindi tre vjet më parë prej një ëndrre, një ëndrre të vërtetë, nga ato që të fanepsen në gjumë. Pas kësaj mori të shkruajë, një herë, dy, por nuk i pëlqeu. Hoqi dorë, por nisi prapë, derisa një vit më parë vendosi të shkruajë sagën e tij. "Shkrova 30 faqe që mendova se vërtet ia vlenin, derisa këtë verë, gjatë muajit gusht, deri në fillim të shtatorit, shkrova pjesën tjetër dhe realizova librin", tregon Enisi 15-vjeçar. Ai nuk di ta shpjegojë këtë dëshirë të madhe që ka për të shkruar, i vjen natyrshëm. Por e mban mend shumë mirë kur ka filluar të shkruajë. Në klasë të parë thurte vargje dhe tregime të shkurtra, madje shumë prej tyre i ruan, sepse ai e do të shkruarin, e ka vërtet shumë qejf.

Në këtë përballje të parë me publikun ka vendosur të shkruajë për të ardhmen, sepse, sipas tij, të tashmen shumë njerëz e përjetojnë në mënyra të ndryshme. "Për të tashmen ka secili nga një përjetim personal, e shkuara dihet si është dhe nuk më takon mua të shkruaj për të, ndërsa e ardhmja është ajo që njerëzit i tremben. Atë nuk e njohin, kanë gjithnjë kureshtje. Njerëzit nuk thonë si ishte dje, por si do të jetë nesër? Perspektiva është tek e ardhmja, ndaj e shkrova këtë libër. Ndoshta herës tjetër do të shkruaj edhe për kohëra të tjera", kështu shprehet Enisi, fantazia e të cilit i kapërcen shekujt. "Në vitin 2367, banorët e Tokës kanë takimin e parë me alienët, siç i quanin ata banorët e tjerë të universit. Dhe këta vinin prej galaktikës së Andromenës, nga planeti Bezuran, pak më i madh se Toka, por shumë më i zhvilluar. Deri në atë kohë, qytetërimi i saj e kishte degraduar tokën, aq sa ajo nuk mund të arrinte kurrë ato nivele zhvillimi të ëndrrave tona, me njerëz të plotfuqishëm e të pavdekshëm, me zhvillim të paimagjinueshëm... Ishte më keq se në Epokën e Gurit... Popullsia e Tokës kishte rënë në 1 miliard e gjysmë banorë, sa çereku i vitit 2007...". Këto shkruan Enisi, qëllimi i të cilit nuk është të jetë shkrimtar. Në fakt duket se idetë i ka shumë të qarta. Ai mendon se mund të shkruash, edhe nëse ke një profesion tjetër. "Dëshira ime e vërtetë është të jem një biokimist, një inxhinier gjenetik, por pa u shkëputur nga shkrimet, pasi kjo është diçka që më pëlqen shumë, në mendje kam shumë ide për libra", thotë Enisi, i cili është shumë i vendosur të mbarojë pesë vëllimet e "5 diamanteve të Zeiter". Për prof. dr Artan Fugën, autori i këtij romani fantastiko-shkencor është një djalë që në mendjen dhe përfytyrimet e tij përpunon, pastaj hedh në letër, me guximin për t‘ua rrëfyer të tjerëve mundësinë e një takimi midis njerëzve të planetit tonë dhe qenieve të tjera aliene, të ardhura nga thellësitë e yjeve. "Habitshëm ai ka ditur të pajisë rrëfimin e tij me ato elemente që e bëjnë lexuesin e çdo moshe, sidomos të rinjtë, të kërkojë deri në fund, me kureshtje, përfundimin e historisë, mbarimin e fabulës, fatin e personazheve, kryerjen e rrëfimit letrar", shkruan Fuga në parathënie, duke e ftuar lexuesin në një lundrim të këndshëm në botën e këtij libri pasionant. "Më vonë kam një ide për disa libra të tjerë, ndoshta edhe për një seri tjetër, një trilogji, për një libër të një karakteri shumë më filozofik", vazhdon ai. Kur e pyet se si janë marrëdhëniet e tij me bashkëmoshatarët, ai thotë se secili ka pasionet e veta. "Mua më pëlqen të shkruaj dhe shpresoj që me këtë të arrij të bëj diçka të mirë". Enisi madje edhe e ka testuar librin e tij, që nuk i përket vetëm brezit të tij, është shkruar edhe për lexues më të mëdhenj se kaq. "Shokët e kanë lexuar dhe e kanë pëlqyer. Por unë kam publikuar edhe në internet një pjesë të shkurtër nga libri dhe reagimet kanë qenë shumë të mira", tregon ai. Pas kësaj, dëshira më e madhe është që lexuesi ta pëlqejë, edhe pse e di mirë se i duhet akoma punë për t‘u përmirësuar. Është i bindur se mund të bëjë më shumë se kaq.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›