E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak, vritet lideri i Al-Kaedës pas një operacioni ushtarak

I vrari ka pasur një pushtet shumë të madh te grupet terroriste në vend Mund të ndikojë në uljen e sulmeve terroriste

Forcat e sigurisë në Irak të mbështetura nga trupat amerikane kanë vrarë dy liderët kryesorë të Al-Kaedës në Irak. Sipas burimeve të ushtrisë amerikane, ky operacion që ka përfunduar me sukses mund të konsiderohet si një goditje shumë efikase kundër organizatës terroriste në Irak. Kryeministri i vendit tha se lideri i Al-Kaedës dhe një bashkëpunëtor i tij janë gjetur të vdekur në një gropë nën tokë brenda një shtëpie, pasi ajo fillimisht u rrethua dhe u sulmua nga forcat irakiane dhe amerikane. Ky rezultat mund të ketë një ndikim shumë të madh në zmbrapsjen e terroristëve për të vënë autobomba nëpër qytete të ndryshme të vendit e për të vazhduar shkaktimin e viktimave të mëtejshme në popullsinë civile. Mënyra të tilla vrasjeje kanë qenë shumë të përhapura në vend që pas pushtimit të Irakut në vitin 2003. Edhe pse numri i këtyre shpërthimeve ka rënë, ato përsëri vazhdojnë që të tronditin herë pas here vendin duke marrë menjëherë dhjetëra jetë njerëzish. Kjo ngjarje do të jetë edhe një nxitje për vetë Malikin ndërsa po përpiqet që të sigurojë riemërimin e tij si Kryeministër i vendit në vijim të zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën në vend më 7 mars. Sipas tij, Al Masri, i njohur edhe si Abu Hamza al Muhaji që mendohet të ketë qenë nga Egjipti është vrarë në një zonë rurale që ndodhet rreh 80 kilometra larg kryeqytetit. Sipas ushtarakëve amerikanë, operacioni është kryer të dielën. Sipas tyre, sulmi është kryer nga një grup i forcave të këmbësorisë, të cilët e kanë rrethuar banesën ku ndodheshin personat. Ka qenë një operacion i përbashkët mes forcave amerikane dhe atyre vendase. Gjatë këtij operacioni ka mbetur i vrarë një ushtar amerikan.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›