E Diel, 1 Nëntor 2026

Antimafia, 14 pronat që sekuestrohen me ligjin e ri

Lista e pronave të Klodian Saliut dhe Afrim Hoxhës. Në skaner, edhe pronat e Leopard Priftit

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sekuestros preventive për 14 prona të dy prej anëtarëve të bandës së Durrësit dhe të Lushnjës. Kërkesat janë realizuar nga prokuroria, ndërsa aprovimi është dhënë nga togat e zeza, të cilat kanë sekuestruar pronat e Afrim Hoxhës, i gjykuar te Krimet e Rënda dhe të Klodian Saliut, i hetuar më parë për pjesëmarrje dhe drejtim të organizatës kriminale të Durrësit, i vrarë disa vjet më parë. Me gjithë vdekjen e Saliut, ligji i ri “Antimafie” përcakton se pasuria e të hetuarve për bandë kriminale sekuestrohet edhe pas vdekjes, por jo më shumë se pesë vjet. Burime zyrtare nga akuza qendrore thanë se me hyrjen në fuqi të ligjit “Antimafia”, janë dërguar në gjykatë dy kërkesa për vendosjen e sekuestros, të cilat janë miratuar nga Gjykata e Shkallës së Parë. Në emër të Klodian Saliut janë sekuestruar: një apartament banimi me sipërfaqe 132.95 m² në Tiranë, pronë truall me sipërfaqe 1500 m² në Durrës, pronë truall me sipërfaqe 500 m² po në qytetin bregdetar, llogari bankare në shumën 1148 euro dhe dy depozita kursimi në shumën 1946267 lekë. Gjykata ka vendosur sekuestron e pronave që figurojnë në emër të Afrim Hoxhës, i hetuar si pjesëmarrës në bandën e Lushnjës. Nën sekuestro janë: një truall me sipërfaqe 200 m² dhe një lokal “Pastiçeri” me sipërfaqe 108 m² në Lushnjë, autoveturë “Mitsubishi Pajera” prodhim i vitit 1999, kamion “Saurer” prodhim i vitit 1982, tre autovetura “Benz”, një furgon i vitit 1996 dhe një motoçikletë “Yamaha”, prodhim i vitit 2002.

Burime nga akuza qendrore thanë se pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë u krijua një sektor që përbëhet nga tre prokurorë dhe tre oficerë të policisë gjyqësore, që është marrë me aplikimin dhe zbatimin në praktikë të ligjit “Antimafie”. Numri i prokurorëve dhe OPGJ-ve mund të shtohet në varësi të çështjeve që do të regjistrohen.

Ligji i ri “Antimafie”, që ka hyrë në fuqi prej dy muajsh e gjysmë, është “zbatuar” me urdhrat e zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka interpretuar nenin tre që ka të bëjë me fushën e zbatimit. Me gjithë hapësirat që krijon ky ligj, akuza qendrore udhëzon prokuroritë e rretheve të bëjnë përzgjedhjen e dosjeve që do të dërgohen te Krimet e Rënda për t’u gjykuar sipas ligjit drastik për pasuritë që janë vënë në mënyrë të dyshimtë. Sipas burimeve nga akuza qendrore, neni më i diskutuar është “pastrimi i parave”. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm deklaron se veprat penale që janë në kompetencë të Krimeve të Rënda do të preken nga ligji i ri. “Pastrimi i parave nga vjedhja apo nga veprat penale që janë objekt hetimi në njësinë e Task-Forcës do të hetohen nga prokuroritë e rretheve dhe jo nga Krimet e Rënda”, deklaron akuza qendrore, duke shtuar se ligji i ri “Antimafia” ka filluar të zbatohet në terren. Të parët që do ta pësojnë do të jenë sërish dy nga organizatat kriminale më famëkeqe në Shqipëri, të kryesuara nga Aldo Bare dhe Lulzim Berisha. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar verifikimet për pasuritë e këtyre organizatave kriminale që janë në proces gjykimi, ndërsa ka dyshime se pas arrestimit të kapove, “ushtarët” kanë vazhduar aktivitetin, kësaj here duke investuar fitimet nga veprat penale në pasuri të paluajtshme dhe prona që kapin shifrat e miliona eurove. Ka të dhëna se banda e Lushnjës apo organizatat kriminale të qytetit të Durrësit, të kryesuara nga Lul Berisha dhe Indrit Dokle, e kanë shtrirë aktivitetin e tyre financiar duke blerë prona në vende turistike, apo kanë marrë drejtimin e mjaft bizneseve fitimprurëse. Ndërkohë, burime nga akuza qendrore thanë se do të verifikohen edhe pasuritë e anëtarit të bandës së Lushnjës, Leopard Prifti, i ekzekutuar në vitin 2005. Megjithatë, objekti i verifikimeve nga prokurorët nuk janë pronat për të cilat është dhënë një vendim gjykate, por pasuritë që janë ngritur pas vitit 1998, kohë kur kanë filluar veprat penale për të cilat akuzohen personat konkretë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›