E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kleriku iranian: Gratë e përdala e kanë fajin për tërmetet

Deklarata

Një klerik i lartë iranian deklaroi dje se gratë që vishen në mënyrë jo të denjë dhe sillen në mënyrë jo në përputhje me ligjet e islamit duhen fajësuar për tërmetet. Irani është një nga vendet që përjeton shumë lëkundje sizmike të tokës dhe shpjegimi i klerikut të lartë pason një parashikim të Presidentit të vendit, Ahmadinexhad se një tërmet i madh mund të godisë Teheranin dhe kjo do të shkaktojë zhvendosjen e 12 milionë banorëve të tij. “Shumë gra që nuk vishen në mënyrë modeste i çojnë meshkujt në rrugë të gabuar, përhapin tradhtinë në shoqëri dhe si pasojë shtohet numri i tërmeteve”, ka deklaruar kleriku i cituar edhe nga media iraniane. Në Iran, gratë duhet të mbulohen kokë e këmbë, por të rejat gjithnjë e më shpesh po e sfidojnë këtë rregull. “Për të shpëtuar nga fati i keq i të përfunduarit nën rrënoja duhet që të gjejmë strehë te feja dhe ta zhvillojmë jetën tonë konform kodeve të moralit islamik”, ka vazhduar kleriku. Për sa i përket Ahmadinexhadit ai i bëri parashikimet e tij për tërmetin 2 javë më parë, por tha se nuk do të mund të jepte një datë të qartë për këtë ngjarje.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›