Irak,dënohet ish-kryeministri për ekzekutimin e 42 tregtarëve
Ish- kryeministri irakian në kohën e regjimit të dikatorit Sadam Hysein, Tarek Aziz dhe Ali Hasan Mexhid, i ashtuquajtur Ali Kimiku, janë dënuar me nga 15 vite burg nga Gjykata Speciale e Irakut për përfshirje në ekzekutimin e 42 tregtarëve në vitin 1992. Ndërkohë që Gjykata irakiane ka dënuar me vdekje dy gjysmë vëllezërit e Sadam Hyseinit, Uatban Ibrahim (ish-ministër i Brendshëm) dhe Sabaui Ibrahim al Hysein (ish- shef i shërbimeve të sigurisë). Ish-sekretari personal i Sadam Heseinit, Abded Hamid Humud, është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa ish- ministri i Financave Ahmed Kudair u dënua me gjashtë vite burg. Javën e kaluar ish- kryeministri irakian Tarek Aziz shpëtoi nga dënimi me vdekje në procesin për vrasjen e tregtarëve. I krishteri i vetëm në rrethin e Sadam Hyseinit, Tarek Aziz ka qenë për 20 vjet zëdhënësi i një Iraku fillimisht të mbështetur nga Perëndimi më tej i poshtëruar në sytë e të gjithëve. Ai ka qenë fillimisht ministër i Informacionit, më tej për shumë vite zëvendëskryeministër si dhe ka mbajtur postin e shefit të diplomacisë nga viti 1983 deri në vitin 1991. Në dhjetor të vitit 2008, ai i kishte shkruar Gjykatës Speciale për t'i kërkuar një verdikt të drejtë në çështjen e 42 tregtarëve, duke u shprehur me forcë se nuk kishte pasur asnjë kundërshtim ose dëshmi kundër tij. "Nuk ka asnjë tregues lidhur me një përfshirje nga ana ime", tha ai. Tarek Aziz iu dorëzua trupave amerikane në fund të prillit të vitit 2003 dhe që prej atëherë është mbajtur në një burg amerikan afër Bagdadit, pavarësisht kërkesave të familjes për lirimin e tij për arsye shëndetësore.