E Diel, 1 Nëntor 2026

Iran, gruaja e parë në qeveri. Parlamenti rrëzon 3 ministra

Parlamenti iranian nuk u ka dhënë besimin tre prej 21 ministrave të propozuar nga Presidenti i ri iranian, Mahmund Ahmadinexhad. Dy prej kandidaturave që nuk u pranuan ishin gra: Sousan Keshavarz e propozuar si ministre e Arsimit dhe kolegia e saj, si ministre e Mirëqenies, Fatemeh Ajorlou. Megjithatë, për herë të parë në historinë e republikës islamike, një grua do të jetë e pranishme në qeverinë e re të vendit. Ajo është gjinekologia Marzieh Vahid Dastjerdi që do të drejtojë dikasterin e Shëndetësisë.

Dastjerdi është një ultrakonservatore, që në të kaluarën kishte propozuar hyrjen e segregacionit seksual në shëndetësi: burrat duhej të kuroheshin nga mjekë burra, ndërsa gratë nga mjeke femra. Është refuzuar emri i propozuar për Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa nafta do të drejtohet nga Massoud Mirkazemi. U ratifikua edhe nominimi për ministrin e Mbrojtjes, Ahmad Vahidi, i kërkuar nga Interpoli për përfshirjen e tij në atentatin në qendër të asistencës hebreje në Buenos Aires ku humben jetën 85 persona. Tani Ahmadinexhad ka tre muaj kohë për të propozuar tre emrat e rinj për dikasteret e mbetura pa drejtues, ndërkohë që qeveria e re do të fillojë nga puna edhe pse ende nuk është kompletuar. Në kompleks, rezultatet e votimeve kanë qenë më të mira se ato të katër viteve më parë, në 2005-[n viti i mandatit të parë të Ahmadinexhadit. Në atë kohë, ministrat e rrëzuar nga Parlamenti ishin katër, mes të cilëve edhe ai i naftës, një post ky vërtet i rëndësishëm për një vend të cilësuar si prodhuesi i katërt më i madh në botë i arit të zi. Votimi në Parlament, i shoqëruar me debate intensive zgjati plot 5 ditë.

Përpara votimit, Ahmadinexhad i kishte bërë thirrje Parlamentit që të aprovonte zgjedhjet e tij duke thënë se votimi reflekton "demokracinë e vërtetë". "Qeveria ime do të bashkëpunojnë ngushtë me Parlamentin", pati thënë ai. Propozimi i Presidentit për ministrin e Naftës, Massoud Mirkazemi, u aprovua pavarësisht pikëpyetjeve rreth eksperiencës së tij. Është vërtet e habitshme se si Vahidi, një figurë kaq shumë e kundërshtuar, mori numrin në lartë të votave në krahasim me kandidaturat e tjera. Sipas agjencive iraniane të lajmeve, ai mori 227 vota nga 286 të tilla. Edhe pse Izraeli dhe Argjentina e kanë komentuar gjatë kandidaturën e tij, Irani ka mohuar çdo përfshirje të tij në shpërthimin e 15 viteve më parë, duke thënë se kjo është një çështje e motivuar politikisht. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, Vahidi tha se aprovimi i tij ishte një "goditje e rëndë për Izraelin". Miratimi i qeverisë erdhi në një kohë trazirash për Republikën Islamike, trazira këto që nisën që në qershor pas rizgjedhjes së Ahmadinexhadit si President i Republikës. Edhe Presidenti amerikan, Barak Obama, i ka dhënë Iranit shtatorin si afatin e fundit për t‘iu bashkuar bisedimeve mbi çështjen bërthamore, me qëllim evitimin e sanksioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›