E Diel, 1 Nëntor 2026

Stefan Rohner, fotografoj për të rrëfyer histori

Ka bërë mijëra kilometra me biçikletë për të mbërritur në Tiranë. Stefan Rohner, një fotograf gjerman autodidakt është nga ata që "gjuajnë" çastin. Fotografia e tij kategorizohet në atë që e quajnë "fotografia e rrugës". Nuk ka personazhe që pozojnë, por njerëz që u është "rrëmbyer" një çast i vërtetë jete. Këto ditë ndodhet në Tiranë. I ftuar të organizojë workshop-e me studentë të shkollës së fotografisë në kuadër të Projektit 5.6, me aparat në dorë e gjen nëpër rrugët e kryeqytetit, apo në tregun e zhurmshëm të Medresesë. Vetëm shkrep. personazhet, por edhe peizazhet i kërkon në udhëtime të vazhdueshme. Maroku dhe India kanë qenë grishjet e tij të para. Janë të shumtë, të njohur e të panjohur ata që e pyesin se pse fotografon. "Për të treguar histori", të përgjigjet duke shpjeguar se janë histori të vogla që ndodhin çdo ditë në çdo cep të botës, që i shohim vazhdimisht, një çast që duhet ta kapësh shumë shpejt. Nuk jeton me fotografinë. Është i ndërgjegjshëm që shumica e fotografëve në botë kërcënohen sot nga mbijetesa, gjë që më shumë se drejt një arti të fotografisë, i shtyn edhe në komercialitet. Elektricist në profesion, Rohner tregon përvojën e tij si fotograf.

Si nisi qasja juaj ndaj fotografisë?

Unë kam lindur në një qytet të vogël në Gjermani. Nëna ime është italiane, ndërsa babai austriak. Fillova të merresha me pikturë rreth moshës 18 - 19-vjeçare kur shkova në Berlin, ku takova e shihja të punonin shumë piktorë. Interesi për këtë gjini arti u shua shpejt. Isha shpërngulur në Ibiza. Kthehesha të pikturoja vetëm kur kisha probleme dashurie. Tashmë u bënë 15 vjet që nuk jam marrë me pikturën. Janë po këto vite kur filloi të më interesojë fotografia. Gjatë kësaj kohe kisha shkrepur gjëra të çastit, por asnjëherë nuk i stampoja fotografitë. Në epokën dixhitale bleva një aparat të tillë, që më dukej shumë më i lehtë e fillova të fotografoja. Pas dy-tri vitesh e kuptova se në bardhezi mund të punohej shumë mirë me film. Kështu iu ktheva aparatit tim të vjetër. Fotografitë e mia i hidhja në internet. Kështu arrija të testoja disi pritshmërinë e tyre në publik. Interesi gjithnjë e në rritje për fotografinë bëri që të studioja seriozisht në mënyrë autodidakte. Nuk kam bërë kurse, por kam studiuar në detaje kompozicionin, përdorimin e hapësirës, të grafikës, të dritës në fotografi.

Udhëtoni vazhdimisht. Nga Barcelona keni mbërritur në Tiranë me biçikletë...

Kam udhëtuar gjithnjë edhe pa pasur aparat me vete. I kam rënë qark Europës duke u bërë edhe pjesë e tureve çiklistike. Si fotograf më ka grishur më së pari Maroku. Unë jetoja në Spanjë dhe kam dashur gjithnjë ta vizitoja. Ndonëse ndodhet në Afrikë, për ne që jetojmë në Europën moderne, ku gjithçka është e pastër, e mirorganizuar, një vend si Maroku është ekzotik. Fillova të udhëtoja dhe e kam vizituar 3-4 herë këtë vend. Maroku është plot ngjyra, ka njerëz simpatikë, por jo shumë të hapur ndaj fotografisë. Në rrugë apo në pazare duhet të shkrepësh shumë shpejt. Nëse më pas i njeh të hapin dyert e të presin si mik. Pas Marokut, India ishte udhëtimi im i radhës. I përket botës, por është si një ëndërr. Një botë plot ngjyra, shumë orientale, krejtësisht e ndryshme dhe e vështirë të përshkruhet me fjalë.

Ju lëvroni "fotografinë e rrugës". Ju ka ndodhur shpesh që njerëzit të ndalojnë e t‘ju pyesin pse fotografoni. Çfarë ju motivon në këtë lloj fotografie?

Fotografoj për të treguar histori. Janë histori të vogla që ndodhin çdo ditë në çdo cep të botës, që i shohim vazhdimisht, një çast që duhet ta kapësh shumë shpejt. Shumë prej këtyre fotove të bëjnë për të qeshur, të tjera për të qarë, por janë të gjitha emocione grafike dhe momente të jetës. Pothuajse të gjitha fotografitë bardhezi janë në kërkim të këtij emocioni të natyrshëm. Ndërsa ka të tjera fotografi të miat, ato me ngjyra ku synohet një farë dokumentimi. Këtu hapësira merr prioritetin dhe përmes këtyre fotove jap një atmosferë të vendeve ku unë shkel, të peizazheve, si janë njerëzit, si sillen. Të njëjtën gjë synojmë edhe me projektin e shkollës fotografike 5.6 këtu në Tiranë. Bashkë me studentët kapim çaste në rrugë, në pazare, njerëz që flasin, që shprehin emocione. Por gjatë ditëve që ndodhem këtu arrij të bëj shumë pak fotografi. Energjitë e mia i harxhoj në bashkëbisedim me studentët dhe nuk përqendrohem në idenë time. Do të më duhej një udhëtim i posaçëm për të realizuar fotografi nga Shqipëria.

Si e shihni Tiranën me syrin e një fotografi?

Ka shumë ngjyra. Edhe ngjyrat e pallateve janë shumë të gjalla. Por është një qytet shumë i ndotur. Njerëzit janë të hapur dhe nuk kanë atë panik ndaj fotografisë si në Europë, ku shumica e njerëzve vënë duart para. E shumta mund të shohin çuditshëm, të të bëjnë ndonjë pyetje se pse fotografon. Këtu mbaron gjithçka. Më parë unë dialogoja me njerëzit, sot parapëlqej të mos harxhoj gjysmë ore kohë për të shpjeguar një shkrepje. Sot(dje) kemi ardhur me studentët për të realizuar fotografi në pazarin e Medresesë. Si fillestarë, ata kanë frikë t‘i kërkojnë njerëzit mes turmës, të kapin shprehje apo kompozime të veçanta. Nëse je një grup edhe ata stimulohen.

Ju nuk jetoni me fotografinë?

Jo. Sot pjesa më e madhe e fotografëve kanë probleme mbijetese e për këtë bëjnë edhe punë komerciale. Nëse hap gazetat gjen personazhe të famshëm, Gisele Bunchen, Claudia Schiffer, reklama për arritjet e fundit të teknologjisë apo për firma të njohura rrobash që për mua janë të bukura, por dytësore. Ka shumë pak gazeta ku mund të shohësh foto të bukura apo fotografi dokumentare. Edhe unë kam bërë punë komerciale në Spanjë, por kjo do të thotë të punosh me njerëz të tjerë, e të mos bësh atë që vërtet do. Ka vetëm disa emra fotografësh që e kanë arritur këtë stad, ndërsa për një fotograf normal është e vështirë. Profesioni im i mirëfilltë është elektricist. Kam një kompani në Ibiza të cilën e menaxhoj që prej 20 vjetësh e që më siguron jetesën. Unë nuk i shes fotografitë e mia. Ndodh vetëm në raste ekspozitash, kur dikush merr ndonjë fotografi që shitet si tablo.

Interneti është mënyra juaj e dialogimit me një masë të madhe njerëzish. A është i mjaftueshëm ky prezantim për ju si fotograf?

Interneti është një mundësi interesante për prezantim. Shumë ftesa për të organizuar workshop-e në Petërsburg, Rusi, Berlin, Sicili apo edhe këtu në Tiranë, më janë bërë pasi kanë njohur punët e mia përmes internetit. Gjithsesi, përshtypjet dhe vlerësimet që merr për punët e realizuara mbeten shumë sipërfaqësore. Në shumicën e herëve ka vetëm komente të thjeshta, që nuk prekin anën profesionale të këtyre fotografive. Për të pasur një komunikim profesional kam hapur edhe një faqe interneti, still-dancing.com, kushtuar një niveli të lartë të fotografisë. Kam ftuar fotografë nga vende të ndryshme të botës, është një komunitet i vogël ku diskutohet mbi fotografinë.

Ju theksoni vazhdimisht se në fotografitë tuaja gjithçka është origjinale. Personazhet, kompozicioni, drita, ngjyrat. Jeni kundër efekteve të arritura me fotoshop?

Të gjitha fotografitë e mia janë bërë me aparat. Nuk jam kundër fotoshopit, por unë nuk do të ndërhyja kurrë në një fotografi për të arritur atë që dua. Për mua ideja e fotografisë është ajo që ti sheh në atë moment. Nëse kompozicioni nuk është si duhet, është problemi yt, as i aparatit dhe as i fotoshopit. E rëndësishme është të kërkosh momente që janë perfekte në kompozim, në ngjyra dhe në hapësirë. Kjo është jeta reale dhe arti i fotografisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›