Iran, varet “spiuni” izraelit

Një person i dënuar për vrasjen e një shkencëtari bërthamor iranian në Teheran dy vjet më parë është varur nga autoritetet e Republikës Islamike. Lajmin e bëjnë të ditur mediat iraniane.
Majid Jamali Fashi, 24 vjeç, mori dënimin kapital për vrasjen e profesorit Massoud Ali Mohammady duke shpërthyer në distancë një bombë të vendosur jashtë shtëpisë së tij në janar të vitit 2010.
Fashi u akuzua gjithashtu se kishte qenë një spiun i shërbimit izraelit të inteligjencës, Mossad, dhe se ishte paguar 120 mijë dollarë për vrasjen. Nga ana tjetër, Izraeli nuk ka bërë asnjë koment për këto akuza.
Profesori i shkencave bërthamore punonte në Universitetin e Teheranit dhe është një nga disa shkencëtarët e së njëjtës degë që janë vrarë në vitet e fundit në Teheran.
Pas atentatit, Irani akuzoi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara se u përpoqën të dëmtonin programin e tij bërthamor.