Presidenti, Rama: Berisha po tenton të blejë deputetët e PS-së

Kryetari i PS-së Edi Rama ka akuzuar sot kryeministrin Berisha se ka kërkuar të blejë vota të deputetëve për kandidaturën për president. Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama ka theksuar se kryeministri ka theksuar se mazhoranca nuk po bën asnjë tentativë për të bashkëpunuar me opozitën për të zgjedhur në president konsensual.
“Jemi vënë para ofertës së kryeministrit për të dhënë votën e tyre për kandidaturën e postit të presidentit. Ka ndodhur dhe në 2007 do të ndodhë përsëri kështu deri kur kryeministri të ketë nevojë për vota që nuk i ka deri në ditën e fundit të qëndrimit të tij në atë karrige aq më tepër që sot ka nisur numërimi mbrapsht i orës së pushtetit të tij të vjetër për të vjedhur Shqipërinë. Nuk përbën fakt për tu çuditur por për të ndarë me të gjithë socialistët dhe opinionin ndërkombëtar shqetësimin se pala tjetër nuk po shfaq asnjë shenjë vullneti për të vënë interesat e vendit mbi interesat e saj “ tha Rama.
Ai ka theksuar se PS-ja nuk do të pranojë asnjë kandidat për postin e kreut të shtetit të dalë nga radhët e partisë Demokratike. “Ne duan një president konsensual. Duam një president që të mishërojë unitetin kombëtar. Duam një president që t`i japë një hov të fuqishëm në rrugën për provimin e vjeshtës në Bruksel. Duam një president të paanshëm për zgjedhjet e ardhshme dhe nuk pranojmë asnjë kanadiat nga PD-ja sepse nuk duam thjesht një president që të jetë nxjerrë nga barku i oborri të Saliut. Ne duam t`i përçojmë një mesazh shqiptarëve: Duam një president për të gjithë ju për këtë komunikojmë me çdo forcë politike dhe për këtë do të mundohemi deri në përfundim të këtij procesi kushtetues.” ka theksuar Rama.
Kryesocialisti Rama ka theksuar më tej se opozita është e gatshme të diskutojë me çdo forcë politike në lidhje me zgjedhjen e presidentit ndërsa shtoi se nuk sheh asnjë vullnet politik nga mazhoranca në lidhje me këtë çështje. “Ne kemi komunikuar me çdo palë që është e gatshme të komunikojë. Kemi hapur një komunikim me LSI-në, kemi pasur komunikim me PDIU-në do të vazhdojmë të komunikojmë me çdo parti dhe presim të komunikojmë edhe me PD-në dhe me faktorët e tjerë në parlament si PR dhe PBDNJ-i.
Shqipërisë i duhen parti politike të cilat janë në gjendje të ndajnë interesat e palëve nga interest e të gjithë shqiptarëve dhe anëtarësimin në BE” theksoi Rama.
Rama gjithashtu ka kërkuar përfundimin e reformës zgjedhore përpara se të nisin procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
“Kërkojmë që kjo reformë së bashku me atë parlamentare dhe me nismën për heqjen dhe kufizimin e imunitetit të votehet përpara zgjedhjes së presidentit. Kemi punuar me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e OSBE-së dhe duhet ti falenderoj edhe ekspertët e OSBE-së që kanë asistuar në punën e komisionit. Problem kryesor të shprehur edhe në gjetjen e raportit janë të përmbledhura në 5 pika: listat, identifikimi, numërimi votave administrimi dhe ankimimi” shtoi Rama.
Rama i është përgjigjur edhe deklaratave të kryeministrit Berisha përsa i përket reformës zgjedhore duke theksuar se PS-ja është e hapur dhe beson që edhe këtu zgjidhja është në tavolinë.
"Ka një angazhim politik të të gjitha palëve dhe kryetarëve të partive për të diskutuar mbi mundësinë e korrektimit të sistemit në funksion të një barazie më të arsyeshme të votës dhe të përmbushjes së kërkesës legjitime dhe të partive të vogla. Jemi gati për diskutim, por theksoj, ky është diskutim për të cilin ka kohë, kohë nuk ka për përmbylljen e paketës së rregullave për zgjedhjet e ardhshme në një kod që është lehtësisht i përmbyllshëm si draft pa tejkaluar afatet. Më vjen keq për fjalen e kryeministrit dje, të pavërtetat, sajesa, shpotira, muhabet pazari lidhur me një cështje që është problem i mbarë vendit, problem që duhet zgjidhur me maksimumin e përgjegjësisë ndaj vendit. Fajësimi i opozitës nuk na bën përshtypje, por na shqetëson se bie ndesh me cka duhet vendit. Sot për politikën shqiptare vlen si rrallë herë shprehja e popullit "koha është flori" shtoi Rama.