E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani “afron” Shtetet e Bashkuara me Rusinë

Presidenti amerikan Barak Obama, dhe homologu i tij rus, Dimitri Medvedev, kanë rënë dakord se ndaj Iranit mund të vendosen sanksione të reja, nëse ai nuk demonstron me vepra se nuk ka si objektiv të prodhojë armë bërthamore.

Të dy presidentët u takuan gjatë sesionit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Javën e ardhshme Irani pritet të rifillojë bisedimet për programin e tij bërthamor me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të tjera, ku bëjnë pjesë Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

Shprehja e vullnetit nga Rusia për të pranuar idenë e mundësisë së vendosjes së sanksioneve të reja kundër Iranit, është një lëshim i vogël, gjithsesi i mirëpritur që i bëhet presidentit Obama.

Kjo ndodh pas vendimit të administratës amerikane për të rishikuar planet për vendosjen e sistemit mbrojtës të raketave në Evropë, hap ky që u përshëndet nga Moska.

"Ne jemi dakord se nëse Irani nuk iu përgjigjet negociatave serioze dhe nuk e zgjidh këtë çështje në një mënyrë që i jep garanci bashkësisë ndërkombëtare se po i përmbush angazhimet dhe nuk po prodhon armë bërthamore, atëherë neve do të na duhet të marrim masa të tjera dhe vendosja e sanksioneve shtesë më të rënda, mbetet një mundësi", tha presidenti Obama.

Gjithsesi, presidenti rus Dimitri Medvedev nuk shprehu ndonjë entuziazëm të madh për alternativën e sanksioneve.

Ai tha se sanksionet, të cilat i pranoi si një alternativë, zor se çojnë në rezultate pozitive dhe shtoi se Rusia dëshiron që ta ndihmojë Iranin që të marrë vendimin e duhur.

"Detyra jonë është që të krijojmë një sistem inkurajues që do ta mundësojë Iranin të gjejë zgjidhje për programin e tij bërthamor për qëllime paqësore por, nga ana tjetër, të mos e lejojë atë që të prodhojë armë bërthamore", tha presidenti Medvedev.

Fjalimi i Ahmedinexhadit

Presidenti iranian, Mahmud Ahmedinexhad, deklaroi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se Irani është i gatshëm 'të shtrëngojë të gjitha duart' që do t'i shtrihen me ndershmëri.

Ai e bëri këtë mesazh me tone pajtuese në fund të fjalimit të tij, ku bëri kritika të ashpra për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, pa i përmendur ata me emër.

Zoti Ahmedinexhad tha se disa vende po pengonin zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë në vende të tjera me pretekstin e mospërhapjes së armëve.

"Ka vende që eksportojnë armë me një vlerë miliarda dollarë çdo vit, që kanë arsenal armësh kimike dhe biologjike, armë bërthamore, që ngrenë baza ushtarake apo kanë prani ushtarake në vende të tjera dhe pikërisht këto vende akuzojnë të tjerët për militarizëm dhe mobilizojnë të gjitha mjete dhe burimet për të penguar progresin shkencor dhe teknologjik të vendeve të tjera me pretekstin e masave për mospërhapjen e armëve", tha presidenti Ahmedinexhad.

Ai akuzoi gjithashtu Izraelin për ato që ai i quajti politika çnjerëzore në territoret palestineze. /bbc/start/

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›