Irani: Kemi prova, CIA na vrau shkencëtarin bërthamor

Televizioni shtetëror iranian ka raportuar dje se Teherani ka dëshmi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë prapa vrasjes së fundit të shkencëtarit bërthamor të Iranit. Më herët këtë javë, një shkencëtar iranian ishte vrarë në Teheran, nga një shpërthim bombe. Ishte ky sulmi i pestë me radhë, i këtij lloji, brenda dy vitesh. Televizioni shtetëror raportoi se Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit i ka dhënë një letër ambasadorit zviceran në Teheran, e cila thoshte: “Ne kemi dokumente të besueshme dhe dëshmi se ky akt terrorist është planifikuar, udhëhequr dhe mbështetur nga CIA”.
Ambasada zvicerane përfaqëson interesat e Shteteve të Bashkuara në Iran, pasi që Teherani dhe Uashingtoni nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Ndërkohë, për herë të parë që prej publikimit nga Zyra Ndërkombëtare për kontrollin e armëve bërthamore të dosjes së diskutueshme për programin atomik iranian, ekspertët lejohen sërish të vlerësojnë impiantet atomike në vend. Inspektorët do të shkojnë më 28 janar në Iran dhe do të hetojnë impiantin e dytë për pasurimin e uranit në Fordo, bëri të ditur ministria e Jashtme në Teheran. Nga raporti që do të japin ekspertët varet nëse do të fillojnë sërish bisedimet ndërkombëtare për programin atomik iranian. Në impiantin nëntokësor për pasurimin e uranit, në Fordo, rreth 160 km në jug të Teheranit, impiant i mbajtur për kohë të gjatë sekret, bëhet pasurimi i uranit deri në 20 përqind. Iranianët duan të fillojnë punën në këtë impiant në muajin shkurt. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përfaqësues të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së theksuan ditën e mërkurë (11.01.2012) se me këtë hap Irani shkel rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe Zyrës Ndërkombëtare për kontrollin e armëve bërthamore.
Eksporti i naftës, Irani kërcënon vendet e Gjirit Persik
Irani kërcënoi dje vendet e Gjirit Persik duke u kërkuar të mos kompensojnë sasinë0 e naftës iraniane në rast të vendosjes së sanksioneve nga ana e perëndimorëve kundër eksporteve iraniane të arit të zi. “Nëse vendet e pasura me naftë të Gjirit Persik zëvendësojnë eksportin iranian të naftës në rast të sanksioneve perëndimore, atëherë ato do të jenë përgjegjëse për gjithçka që mund të ndodhë më pas”, deklaroi përfaqësuesi i Iranit në Organizatën e Vendeve Prodhuese të Naftës (OPEC), Mohammad Ali Khatibi.
...