Policia e Kosovës e standardeve evropiane, “Vetëvendosja” e metodave mesjetare

-- Dje ka përfunduar aksioni i Vetëvendosjes, por jo zhurma e atij turpi. Protesta dhe bllokimi i kufijve shihet si një ndihmë indirekte për betejën diplomatike të Serbisë. Akset rrugore u mbajtën thuajse gjatë gjithë kohës të hapura, ndërkohë që s’është paraqitur nevoja e ndërhyrjes së efektivave të EULEX-it
Protesta që supozohej të ishte paqësore për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë në Mërdarë dhe Dheun e Bardhë, ka degraduar në dhunë kundër forcave të rendit, dhe ka rezultuar me plagosjen e dhjetëra efektivëve të forcave të rendin, si dhe me dhjetëra arrestime ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes, përfshirë këtu edhe disa deputetë nga ky fraksion politik. Aksioni i Vetëvendosjes erdhi në një çast kur Kosova gjendet në një kohë të vështirë, pasi raporti i Dick Martin-it bën ende jehonë në zyrat e BE-së, ndërsa disa vende që nuk e kanë njohur Kosovën po përgatiteshin për ta njohur atë, meqenëse shqiptarët, deri dje, ishin të mirët, ndërsa serbët që bllokojnë pika kufitare ishin të ligët. E kundërshtuar me tone precize nga ndërkombëtarët, të cilët paralajmëruan se një aksion i tillë dëmton Kosovën dhe jo Serbinë, Vetëvendosja nuk ka pranuar të reflektojë, duke i qëndruar besnik një plani filo-serb për të bllokuar pikat kufitare. Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në nisjen nga Prishtina tha se protesta do të ishte paqësore. Kurti ka thënë se prezenca e shtuar e forcave policore nuk do ta zmbrapsë atë dhe lëvizjen nga aksioni i paralajmëruar. Ai pati përsëritur se nuk do të pengohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe se do të bllokohen vetëm mallrat serbe. Por kronologjia e ngjarjeve të djeshme e ka përgënjeshtruar pjesën “paqësore” të deklaratës së Kurtit. Rreth orës 13.00, protestuesit filluan të mblidheshin në pikat kufitare në Mërdarë dhe Dheun e Bardhë. Rreth 500 protestues u mblodhën në Dheun e Bardhë ndërsa Njësia Speciale e Policisë së Kosovës i bllokoi ata 300 metra larg pikës kufitare. Ndërkohë, në Mërdare, Policia e Kosovës vendosi dy postblloqe me një largësi pesë kilometra njëra me tjetrën dhe nuk ka lejuar kalimin e asnjë qytetari me përjashtim të gazetarëve dhe KFOR-it. Rreth orës 14.30, protestuesit që ndodheshin në hyrje të Podujevës, që të çon në pikën kufitare në Mërdarë, kanë provokuar forcat e rendit të Kosovës, duke u hedhur atyre mjete të forta si gurë dhe dërrasa. Të gjendur përballë një protestë e cila e nxori Albin Kurtit një njeri jo të fjalës, policia e Kosovës ka reaguar me gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se janë arrestuar gjithsej 42 persona, kurse 13 pjesëtarë të policisë kanë marrë lëndime. “Gjatë protestës në hyrje të Podujevës që çon në vendkalimin kufitar në Merdare, policia ka kërkuar nga protestuesit që të lirojnë rrugën, në mënyrë që të lejohet qarkullimi i lirë. Një urdhër i tillë nuk është zbatuar dhe policia ka ndërhyrë”, deklaroi Kelani, duke shtuar se policët e Kosovës janë lënduar me mjete të forta, të cilat janë hedhur nga protestuesit. Në bazë të informacioneve të pranuara nga qendra mjekësore, katër efektivë të policisë kanë marrë plagë të rënda. Për të shtuar moralin e protestuesve të cilët po shpërndaheshin, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se protesta do të amplifikohet nga ardhja e protestuesve të tjerë. “Turmat e protestuesve janë duke u shtuar. Janë duke ardhur edhe dy autobusë nga Tirana dhe tre autobusë tjerë nga Prishtina. Ne nuk jemi duke e penguar lëvizjen e lire, jemi duke i penguar vetëm maunat me mallra serbe. Deri më tani nuk ka mundur me kaluar asnjë maunë me mallra serbe”, tha Ahmeti. Nga ora 15.10 deri në orën 18.00 protestuesit në hyrje të pikës kufitare në Mërdarë filluan të shpërndaheshin për të zhvilluar një protestë modeste në qendër të Podujevës. Ndërkohë, në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, rreth orës 18.10, policia e Kosovës u dërgoi një ultimatum protestuesve, që të shpërndaheshin brenda 30 minutave. Me të skaduar ultimatumi, policia e Kosovës veproi për të shpërndarë turmën duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërkohë që protestuesit rezistonin duke qëlluar efektivët e policisë me mjete të forta. Gjatë këtij aksioni të policisë së Kosovës janë arrestuar dhjetëra protestues, ndër ta edhe deputetët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, Visar Ymeri dhe dhe Liburn Aliu, por edhe disa aktivistë të tjerë të kësaj lëvizjeje. Albin Kuri, lider i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është arrestuar ashtu siç kishte njoftuar më parë kjo Lëvizje. Albin Kurti, sipas Vetëvendosjes, për shkak të një lëndimi, ishte dërguar në një autoambulancë për të marrë ndihmë mjekësore dhe aktivistët e Lëvizjes kishin menduar se është arrestuar. Me arrestimet e fundit duket të jetë rritur ndjeshëm numri i protestuesve të arrestuar. Tashmë vlerësohet se ky numër ka arritur në mbi 50 të arrestuar. Me shpërndarjen e turmës edhe në Dheun e Bardhë, përfundoi aksioni i Vetëvendosjes, por jo jehona e tij, e cila do të buçasë zyrat e Departamentin Amerikan të Shtetit dhe të Brukselit. Megjithëse aksioni i Vetëvendosjes shihet dhe interpretohet nga pseudo-patriotët si plus për Kosovën, për Serbinë, aksioni përfaqëson një mjet të favorshëm retorik për t’i thënë Perëndimit se: “E patë, është Kosova ajo që po tregohet jokonstruktive në marrëdhëniet fqinjësore dhe jo ne, bllokojani asaj proceset integruese”. Është kjo arsyeja pse ndërkombëtarët iu bashkuan zërit të qeverisë së Kosovës duke lëshuar një bum deklaratash për të kundërshtuar një aksion të tillë, një ditë para aksionit të Lëvizjes Vetëvendosje. Kundër nismës së Albin Kurtit kanë dalë Presidentja e Kosovës, vendet e Quint-it, përfaqësuesi i BE-së dhe partitë politike. Në një komunikatë të përbashkët, Ambasada e Francës, e Gjermanisë, e Italisë, e Mbretërisë së Bashkuar dhe e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë thënë se bllokimi i rrugës është veprim antiligjor dhe i keq për imazhin e Prishtinës. “Ne nxisim Vetëvendosjen që të përmbahet nga çfarëdo dhune ose provokimi ndaj personelit të Policisë së Kosovës. Veprimet e tilla jo vetëm që do të jenë joligjore, por po ashtu do të rritnin tensionet politike në Kosovë dhe do të ndikonin negativisht në imazhin e Kosovës jashtë vendit. Ne jemi të bindur që Policia e Kosovës, e mbështetur nga EULEX-i dhe KFOR-i në rolet e tyre përkatëse, do të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm në sjelljen e tyre ndaj çfarëdo provokimeve, por në fund Vetëvendosje do të jetë përgjegjëse për pasojat e veprimeve të saj të planifikuara”, thuhet në këtë deklaratë. Ambasadat e akredituara në Prishtinë ka thënë se asnjë parti politike nuk mund ta marrë zbatimin e ligjit në duart e veta, derisa kanë theksuar se bllokimi i rrugëve dhe i mallrave nuk është parim demokratik dhe nuk i shërben sundimit të ligjit. “Kosovarët nuk duhet ta lejojnë asnjë parti politike që ta sabotojë këtë proces”. Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dalë kundër bllokimin të rrugëve dhe ka thënë se Vetëvendosje nuk i ka shteruar të gjitha mundësitë e veprimit brenda institucioneve. “Thërras të gjithë qytetarët të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave”, thuhet në deklaratën e Jahjagës. Presidentja ka treguar se për çka ka nevojë Kosova. “Vendi ynë ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe bilaterale me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë”. Edhe Përfaqësuesi Special të Bashkimit Europian në Kosovë, Fernando Gentilini ka thënë se aksioni i paralajmëruar i Vetëvendosjes është i padobishëm për të ardhmen e Kosovës në BE. “U bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga veprimet që kanë për qëllim pengimin e ndonjë prej këtyre lirive, për arsye se veprime të tilla do të përfaqësojnë vetëm kthim prapa në agjendën evropiane”, thuhet në deklaratën e Gentilinit. Deputetja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek ka thënë se aksioni i planifikuar i Vetëvendosjes e dëmton imazhin dhe rrugën e Kosovës drejt BE-së.“Vërtet do të kërkoja nga Vetëvendosje që ta anulojë këtë aksion. Kjo nuk na ndihmon aspak neve në Bashkimin Evropian që e duam Kosovën më afër BE-së dhe Serbinë me marrëdhënie të mira me shtetin e Kosovës. Ky aksion nuk na ndihmon aspak drejt këtij qëllimi”, ka thënë Lunacek për R. Dukagjini. Lunacek është eurodeputetja e dytë e cila bën thirrje që ky aksion të mos zhvillohet. Para pak ditësh edhe eurodeputetja Doris Pack aksionin e paralajmëruar “Serbia nuk kalon” e ka quajtur çmenduri. Ndërkohë, dje, ka reaguar Daniel Serwer, ekspert për Ballkanin në Uashington, i cili tha se çdo bllokim i pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë çon në dhunë dhe nuk është ide e pëlqyeshme. “Si bllokimet e pikëkalimeve nga serbët, si ato nga partia e Albin Kurtit nuk janë veprime të mençura. Ato çojnë në dhunë. Dhe çdo gjë që çon në dhunë në situatën e tanishme në Kosovë është një ide jo e mirë. Mendoj se zoti Kurti dhe njerëzit e tij po përpiqen të fitojnë përsëri vota por ata po e bëjnë këtë duke tejkaluar rregullat e lojës demokratike. Mendoj se atyre u duhet thënë të ndalen dhe nëse nuk ndalen, besoj se administrata në Prishtinë do të marrë masat e duhura ligjore për t’i dhënë fund kësaj. Ky është një gabim i madh për Kosovën. Kosova dhe qëndrimi i saj i përmbajtur, gatishmëria për të diskutuar me Serbinë se si duhet menaxhuar kufiri i ka dhënë asaj mjaft besueshmëri në komunitetin ndërkombëtar. Ajo që po bën zoti Kurti po e dëmton këtë besueshmëri, e kam fjalën natyrisht për besueshmërinë e qeverisë së Hashim Thaçit dhe jo të tijën personale. Por natyrisht këtu flasim për kredibilitetin e vendit dhe Kosova do të humbasë nga veprimet e zotit Kurti,” tha analisti Daniel Serwer. Ndërkaq, po dje ka reaguar edhe qeveria e Kosovës, e cila ka shprehur keqardhje për veprimet e dhunshme të Lëvizjes Vetëvendosje, të drejtuara kundër pjesëtarëve të policisë së Kosovës, të cilët janë në mbrojtje të rëndit dhe ligjit, thuhet në komunikatën për media të Kryeministrisë. Qeveria e Kosovës iu bën thirrje krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të shmangën nga përdorimi i dhunës dhe përpjekjet për të penguar lëvizjen e lirë të garantuar me Kushtetutën e Kosovës, thuhet në komunikatë. Më tutje thuhet se Qeveria e Kosovës qëndron fuqishëm në mbështetje të policisë së Kosovës, e cila me profesionalizëm është duke mbajtur nën kontroll të plotë situatën. “Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh konsideratën e lartë për maturinë dhe sjelljen korrekte të qytetarëve të Republikës së Kosovës, forcave politike, shoqërisë civile dhe informimin profesional të mediave”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë të Kryeministrisë.
...