E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhezinjtë barazojnë, fiton Lacio Super Kaljari, Juve ngadalëson në shtëpi

TIRANE-Juventusi ka ndalur hapin drejt titullit kampion, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi kundër Kaljarit. Bardhezinjtë kanë regjistruar kështu një rekord të ri, me 18 rezultate pozitive radhazi në kampionat, megjithatë ritmi i tyre nuk bind edhe aq përsa i përket titullit. Në 18 takime, ata kanë 10 fitore dhe 8 barazime, që ndoshta mund të ndikojnë jo pak në klasifikimin përfundimtar. Ndeshja e sotme nisi në mënyrën më të mirë për “Zonjën e Vjetër”, pasi Mirko Vuçiniç gjeti avantazhin në minutën e 7-të. Një kombinim spektakolar mes Marçizios e Lishtajnerit, nxorri të vetëm malazezin, që e depozitoi topin në rrjetë. Ndërkohë, në pjesën e dytë, Kosu riktheu barazpeshën pas vetëm 3 minutash, me një goditje të jashtëzakonshme nga kufijtë e zonës. Megjithë përpjekjet, Juventusi nuk mundi të gjente dot golin e fitores. Në minutat e fundit bardhezinjtë patën 2-3 mundësi të mira, me Del Pieron dhe Krasiç, që nuk arrijnë të trembin askënd. Ndërkohë, Lacio ka fituar 2-0 ndaj Atalantës në ndeshjen e parë të ditës, duke lënë pas disfatën 4-0 ndaj Sienës. Hernanes me penallti dhe Klose në minutat e fundit i dhanë triumfin skuadrës bardhekaltër, ndërsa bergamaskët e mbyllën takimin me 10 vetë. Ndërkohë, Fiorentina është mundur 0-1 në shtëpi nga Leçe, falë një penalltie të ekzagjeruar në pjesën e dytë, që u shndërrua në gol nga Di Mikele. Disfata bëri që tifozët e Fiorentinës të shpërthejnë në fund të takimit, duke bllokuar skuadrën brenda në stadium. Vetëm takimi me presidentin qetësoi turmën e xhindosur.

SERIA A
Katania-Roma (ndërprerë në 1-1)
Lacio-Atalanta 2-0
Çezena-Novara 3-1
Kievo-Palermo 1-0
Fiorentina-Leçe 0-1
Xhenoa-Udineze 3-2
Juventus-Kaljari 1-1
Parma-Siena 3-1
Milan-Inter
Nesër
Napoli-Bolonja
RENDITJA
Juventus 38
Milan 37
Udineze 35
Lacio 33
Inter 29
Roma 27
Napoli 27
Xhenoa 24
Kievo 23
Katania 22
Kaljari 22
Parma 22
Fiorentina 21
Palermo 21
Atalanta 20
Bolonja 18
Siena 18
Çezena 15
Novara 12
Leçe 12

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›