Irani dhe imperativi i mbrojtjes raketore

Për faktin se Irani po vazhdon të avancojë sistemin e vet raketor, administrata amerikane duhet të përgatisë plane emergjente për vendosje të shpejtë të mbrojtjes mobile për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara në planin e brendshëm dhe të jashtëm
Nga Wall Street Journal
Shërbimet informative amerikane tashmë parashohin që Teherani të zhvillojë raketat ndërkontinentale deri në vitin 2015. Me strategjinë aktuale, Perëndimi nuk do të jetë i aftë që ti kundërvihet këtij kërcënimi.
Drejtori i CIA-s, Leon Paneta, më 27 qershor tha se mund të kenë mbetur vetëm
dy vjet para se Irani të jetë i aftë për të kërcënuar shtetet tjera me
potencialin e vet bërthamor të vendosur në raketat balistike.
I pyetur për efektet e sanksioneve shtesë të nënshkruara nga presidenti Barak
Obama, zoti Paneta është përgjigjur: A do të heqë dorë Irani nga ambiciet e
veta bërthamore pas kësaj mase? Sipas të gjitha gjasave jo.
Tre muaj më parë Agjencia Informative e Mbrojtjes raportoi se deri në vitin
2015, Irani me ndihmën e Koresë Veriore dhe të Rusisë, mund të aftësojë raketat
ndërkontinentale balistike (ICBM), që do të mund të godasin bregdetin e
Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kur një shtet është më aktivi në sponsorizimin e terrorizmit dhe liderët e saj
mbështesin sloganet, siç janë Vdekje Izraelit dhe Vdekje Amerikës, kjo
duhet të merret seriozisht. Në dhjetor të vitit 2009, prova raketore e Iranit
kishte dëshmuar aftësinë e Teheranit për të goditur Izraelin.
Duke pasur parasysh fanatizmin e presidentit Ahmedinexhad dhe të liderëve
tjerë, ngritja e mburojës raketore balistike bëhet imperativ për SHBA-të.
Pikërisht për këtë administrata e Bushit kishte propozuar ngritjen e mburojës
raketore në Evropë, krahas asaj ekzistuese në Alaskë dhe Kaliforni.
Mburoja do të ofronte mbrojtje shtesë për bregdetin lindor të SHBA-ve, për
trupat amerikane jashtë vendit dhe për aleatët evropianë nga një sulm raketor i
Iranit.
Por, administrata e presidentit Obama në shtatorin e vitit të kaluar ka
braktisur planin e ish-presidentit Bush dhe atë e ka zëvendësuar me një tjetër,
me më pak aftësi që të ballafaqohet me kërcënimet kundër territorit të Shteteve
të Bashkuara.
Duke pasur parasysh kërcënimet në rritje që vijnë nga Irani, administrata e
presidentit Obama duhet të rishikojë strategjinë e vet të mburojës
raketore.
Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin më shumë raketa mbrojtëse në Alaskë dhe
duhet të gjejnë pozicione shtesë për pjesë të mburojës raketore në bregdetin
lindor të Shteteve të Bashkuara, ose në Evropë.
Për faktin se Irani po vazhdon të avancojë sistemin e vet raketor, administrata
amerikane duhet të përgatisë plane emergjente për vendosje të shpejtë të
mbrojtjes mobile për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara në planin e brendshëm dhe
të jashtëm.
Dhe, mbi të gjitha, administrata e Obamës duhet tia bëjë të qartë Senatit dhe
Qeverisë së Rusisë se as marrëveshja e re amerikano-ruse dhe as zotimet e bëra
gjatë procesit të bisedimeve, në asnjë mënyrë, nuk do ti kufizojnë aftësitë tona
për ta mbrojtur veten nga një sulm bërthamor i Iranit.