E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e Aqif Selimit, 30 vjet burg per nje enderr

Flet ne “Opinion” per gazetarin Blendi Fevziu, i denuari i komunizmit. Gjate viteve te diktatures, ai eshte denuar 3 here me nga 10 vjet burg

Per te hedhur drite mbi nje periudhe te erret, te veshtire dhe dramatike te Shqiperise, ate qe lidhet me vitet ‘44-’90, ndoshta s’mund te flase kush me mire se Aqif Selimi. Jeta e tij eshte nje deshmi e dhunes dhe abuzimit te komunizmit me njerezit.
Personazhi yne ka qene partizan gjate Luftes se Dyte Boterore, u arrestua nga bashkeluftetaret e tij dhe u denua ne fund te viteve ’40 per nje arsye te thjeshte, sepse kishte pare nje enderr, nje arsye groteske kjo. Ne perendim kjo mund t’i duket qesharake dikujt qe e degjon, reagimi i dyte per degjuesit mund te jete, “kjo eshte nje cmenduri”.

Eshte e vertete qe jeni denuar per nje enderr?
Po, edhe per te tjera, sepse endrra krijoi grupe etj.

A mund te na tregoni me detaje endrren?
Ne tetor te vitit ‘46, arrestohem. Ishte koha e incidentit te Kanalit te Korfuzit. Shume ushtare dhe oficere u arrestuan, pasi kishte dyshime mbi ta. U arrestova edhe une, isha oficer i luftes, na cuan ne Gryke Hot, na futen ne nje dhome. Pas nje jave na sjellin nje oficer tjeter nga Gjiokstra, quhej Vino Toti. Ai kishte qene magazinier ne repart, kishte vjedhur disa derrasa, e kishin denuar me 6 muaj, pritej ta conin ne batalionin e punes, e sollen ne dhomen tone perkohesisht.
Per mua nuk kishin asnje fakt, edhe kur me arrestuan me thane “e dime ne” per arsyen, me thane do ta marresh vesh me vone. Nje nga keto dite, nje mengjes heret shoh nje enderr te cuditshme. M’u be sikur shkoja te Pallati i Brigadave. Kam pare sallen e hyrjes, sepse kam qene me xhenion atje, ne dere shkruhej dhoma e Mehdi Frasherit. S’e kisha pare kurre ate, per te degjuar kisha degjuar, por ai ishte ne Itali ne ate kohe. M’u be sikur ai ishte aty me te bijen, me mbesen dhe me dhendrin. M’iu be sikur ishte nje oficer, me rroba te bardha, jo tonat. U terhoqa te ikja, por Mehdiu me tha: Mos ik Aqif, se tani ti erdhe te ne. Po dole do te te arrestoje Enver Hoxha. Neser vjen e na merr aeroplani ketu te Pallati i Zogut e na con ne Itali. Ky oficeri me tha, qe shikon ketu, eshte atasheu ushtarak i Anglise, kolonel Palmer. Me doli gjumi, u zgjova dhe qesha. Ky ushtaraku qe ishte ne dhome me mua, ishte ngritur me heret, me pyeti “cfare pate”? “Pashe nje enderr”, i thashe. “Cfare endrre”, me tha? “C’e do, lere”, i thashe une. Ai m’u lut per 2-3 ore, i ri isha atehere, 18-19 vjec, ndaj ia tregova. Pas nje ore ai shkon te hetuesi, Peci Kalluci, e kishte bashkefshatar. I tregon endrren time, sikur une kisha takuar Mehdi Frashrin, anglezin etj. S’me erdhi me aty, e hoqen nga dhoma ata. Pas dy oresh me plasen, ma futi oficeri me grusht, me tha “tradhtar, reaksionar, fashist”. Filloi avazi.
S’e kuptoja dot. Vertet nje kishim nje grup shokesh te luftes qe bisedonim, por jo per organizime, bisedonim vetem per zhgenjimet. Nisen torturat. Jam bere pishman ne jete qe s’e pashe kurre ate kolonelin anglez, Palmer. Kam shkuar 4 here per ate ne Ambasaden Angleze, te me binim nje fotografi te pakten, se per te u denova me vdekje. Pas 3 muajsh torture, me tha njeri prej tyre: Qen bir qeni, je takuar me kolonelin anglez te Pallati i Zogut. “Si e kam takuar”, i thashe? “Po”, tha. Shikoni, hetuesia atehere ishte hetuesi fshataresh. Durova 15 muaj, qe nga tetori deri ne mars te vitit ‘48, pa m’u ndare nje dite tortura nga trupi. Me pas ata e perpiluan vete akuzen. E bene sikur isha takuar disa here me kolonelin anglez, sikur me kishte ngarkuar te organizoja grupe ne ushtri, grupe ne publik etj. U dorezova une perfundimisht, per shkak te torturave.
Ishte ne mars te ’48 qe me sollen te firmos nja 18 faqe proces. E firmosa me duar te lidhura, pa e pare se c’kishte te shkruar brenda, me cuan ne garnizon per gjykim. Ishin edhe nja 20 vete te tjere, nder ta edhe nje doktor nga Shkodra, Luigj Radoja. Me 24 prill te ‘48 me hapet gjyqi. U mblodh trupi gjykues me kryetar Llazi Polena. Jep aktakuzen kryetari. “E pranon”, tha? “Jo”, i thashe, “ishte nje enderr”. “Pranoje”, tha, “dil 5 min. jashte e hajde poshte prape”. Me futen prape brenda. “E pranon”, tha? “Jo”, thashe. “Ik, hajde neser”, thane, kur do te jepej pretenca, ku me denuan me vdekje.

U denuat se pate nje enderr?
Me vdekje pale. Torturat klasifikohen. Hetuesia ne vitet ‘46-’49 ka pasur tortura te tmerrshme, te paprecedente, me duhet te flas ne disa emisione per to. Qe te bind edhe ata qe na ndjekin, po ju jap nje shembull. Flitej ne shtyp per dhomat e gazit qe perdornin nazistet. Te ishin ato ne hetuesine tone, 97% te atyre qe akuzoheshin do pranonin te futeshin me deshire ne keto dhoma gazi, sepse me mire te vdisnin.
Torturat nisnin nga uji i ftohte gjithe diten, mengjes, dreke, darke; 15 dite ne kembe, spica etj. Pagjumesia ishte tortura me e tmerrshme, me shume se 3 dite nuk durohej dot, pa buke dhe uje. Pa uje jetohej deri ne 10 dite, edhe ne gusht madje. Ishte nje major jugosllav, Savo quhej, ishte ekspert i torturave, qe vinte cdo dite ne hetuesine e Gjirokastres. Ai u mesonte torturat ketyre taneve, qe njihnin vetem kerbacin.
Pasi 11 muajsh tortura, kur trupi dhe mendja ime nuk ishin me ne gjendje, une u dorezova. Ishte 31 dhjetori i vitit ‘47. Me kane futur ne nje fuci uje qe kishte zene akull, nga ato 3 kuintaleshet per turshi. “Do pendohesh”, me thane. Mua me ra te fiket. Me nxoren nga fucia, me futen ne dhomen e hetuesit, njoftuan motren e tij qe ishte infermiere ne spital, me beri nje injeksion ajo.
Isha ne fazen e cmendurise, shihja pjese te filmave qe kisha pare, te aferm te mi, dasmat ku kisha qene, pjese nga lufta. Me futen ne biruce, jo ne timen, ne nje tjeter. Atje ishte nje civil qe kishte ardhur per deshmine e nje oficeri. Kur me pa, u habit, normal, isha kocke e lekure. Fjeta 24 ore, u zgjova dhe nuk i pashe me ato halucinacione. U thashe atyre qe jam dorezuar. “He mor qerrata”, me thane, “se na lodhe”. “S’na kane bere keshtu bajraktare me mustaqe te veshi, jo me ti”. “Nuk kam c’flas me, rregulloje ti si te duash”, i thashe.

Pra ishit gati te pranonin c’do lloj gjeje?
Cdo lloj gjeje. Kam dashur te vras Enver Hoxhen, me pushkatoni, me beni c’te doni. Donin grupin ata, por une s’kisha grup. “Si u krijuan grupet”, thoshin. Po ku kishte grup?! E bene procesin, u denova me burg, pa asnje deshmitar. Ne gjyq s’kam pranuar asgje une, vetem ne hetuesi. Une me Radone, mjekun nga Shkodra, kishim biseduar qe po te na denonin me vdekje, do te iknim, do te godisnim rojet dhe do arratiseshim. Ai ishte grushtier i forte. Ate e denuan me 15 vjet, mua me vdekje. Mirepo, ate nate qe na denuan, une isha i lidhur, kurse ai i zgjidhur. “Si e kemi lene”, me tha? “Jo”, i thashe, “ti ke femije, ke familje, kurse une jam i ri”. Pas 24 oresh, me prune prane nje oficer tjeter. Une doja ta caja vete burgun, i vdekur isha. Kur erdhi ky, i akuzuar se ishte bere me Esat Tosken, thashe ta beja me kete. Ishte denuar dhe ai me vdekje. “A do te ikim nga burgu”, i thashe? “Po”, tha. Une kam hapur burgun me 9 maj 1948, ja ku e ke edhe te gazeta “Tirana”.

Si e hape burgun?
Ishte nje dere druri. Perpara kishte qene shtepi tregtare, ne na mbanin poshte te burgu i lopeve. Po ta shtyje deren me kembe, me dore, ose me nje bisht luge, brava hapej. Por kishte roje te dera, si dhe nje komshi ketej kur dilje nga qafa e pazarit. Por dera nga komshiu rrinte cdo dite mbyllur, pasi ushtaret per shkurtim distancash e perdornin per te dale ne pazar. Per fatin tone, ne 9 maj behej feste per kapitullimin e Italise, dhe roja ishte kthyer nga gostia, andej nga gernetat qe binin te sheshi i Cercizit. Oborri ishte bosh, sepse ushtaret po lexonin gazetat. Morem nga Dropulli, po iknim per ne Greqi. E dinte ky tjetri rrugen, se kishte qene oficer i xhenios. Arritem afer Libohoves, gjetem nje si keshtjelle qe e kishin bere italianet dhe ndenjem aty se binte shi. Ne mengjes pame qe po na kerkonin. Ne ate kohe nuk te ndalnin, te vrisnin direkt. Ndenjem nja 3-4 dite aty. Levizem pastaj, u vertitem 25 dite pa buke, vetem me ca bishta qepesh qe gjetem nga data 22. Kisha ndenjur sa e sa here nga 15 dite pa buke. Kaluam permes Radatit, shkelem permbi minat e tankeve, ato nuk plasnin nga pesha jone. Ishte sabah. Thashe njehere te rrinim derisa te zbardhte mire, se mos gabonim e hynim prape ne kufirin tone. Ne nje pyll me geshtenja pame nje zjarr, ishin partizanet greke bashke me vllahet tane, qe conin atje materiale ushtarake. U thame qe kishim ikur nga burgu, na lidhen te dyve dore per dore per te na dorezuar, sepse ishin te lidhur me partizanet tane keta.
Edhe pse s’kishim fuqi, frika eshte gje e madhe. I mobilizuam te gjitha forcat dhe i thashe atij tjetrit, se ishte me i madh se une ne moshe ai; luaje pjesen i thashe, sikur je keq nga barku dhe do te dalesh jashte. Me ne fund, ushtaret greke pranuan dhe na lane. Shkuam diku aty dhe pame nje thike, aty ku ata kishin ngrene konserva. Preme litaret, kaluam neper dushqe. Ata shtine mbi kokat tona se na diktuan, por nuk donin te na vrisnin, me siguri. Na kapen forcat shqiptare, na cuan ne Gjirokaster. Mua s’me vune dore, kurse ketij tjetrit po, se ishte anetar partie. “E kujt ishte ideja”, thane? “E imja”, u thashe une.
“Po deren kush ta hapi”, me thane. “Vete e hapa”, u thashe. “Jo” thane, “ta hapen ushtaret”. Ata kishin denuar sakaq me vdekje 3 ushtaret qe ndodheshin aty. “Me coni ne garnizon, ta hap prape”, u thashe. “Te tre ushtaret, nga druri pranonin se e kishin hapur deren. Mendo cfare hetuesie kishim, ishin derra hetuesit qe besonin se do ulej aeroplani te Pallati i Zogut, per te me marre ne Itali. Vendosen qe ushtaret dhe ne te dyve te na conin ne Tirane, ne hetuesi speciale. Komisioni perbehej nga Kadri Hasbiu, ishte zv. Minister i Brendshem atehere ai, Stavri Zhara, drejtor i burgut te ri, Petrit Hakani, Prokurori Ushtarak i Tiranes. Pasi kishte pritur te tjeret, me therret mua Kadri Hasbiu. “Do te drejten”, i thashe, “apo te pranoj nga torturat”?
“Une jam komunist” me tha, “dhe cfaredo qe te thuash, 95 % je i pushkatuar, ndaj ma thuaj te verteten. Vetem mos ma tako Enver Hoxha, se per ate une ther edhe djalin”. I tregova gjithcka. “Te ka ndodhur ndonjehere”, i thashe “ne eksperiencen tende 4-vjecare si zv.Minister, qe nje i burgosur te beje per vete 3 roje?” “Jo”, tha, “nuk me ka ndodhur”. “Po atehere”, i thashe, “si mendon, une qenkam kaq i zoti sa i bera ushtaret per vete. Po nuk e dija qe ata do t’i vrisnit ju? Atehere pse nuk do t’i merrja me vete, te caja me 5 automatike kufirin”? Aty ata pane njeri-tjetrin. Ushtaret pastaj nuk u denuan.

Po ju me sa u denuat?
Me vdekje pra, edhe ne hetuesine e dyte. Me 30 maj ishte aprovuar denimi im me vdekje, me pushkatim, por mua me kapen ne 31 maj. Keshtu qe hetuesise speciale i duhej nje vendim i ri. Petro Marko beri nje promemorie per pafajesine time, ia drejtova prokurorit te pergjithshem. Erdhi prokurori i pergjithshem. Me tha; Ti pretendon se je i pafajshem, ti ke thyer edhe burgun? I thashe une: Po si te mos thyeja burgun, te me arrestoni kot, te me torturoni kot, te me denoni me vdekje kot, si te mos thyej burgun?! Dua te thyej edhe koka njerezish!
Thuhej aprovohet vendimi me vdekje per Aqif Selimin, pasi eshte arratisur nga burgu.
Per Gjykaten e Larte, major Mesti Nase. Ate te paren e kishte firmosur Niko Ceto.
U nisa per t’u pushkatuar ne Gjirokaster, nga gjykatesi qe me kishte denuar. Shkoj ne Gjirokaster, me cojne ne kala, prit sot, prit neser, prita ekzekutimin per 400 dite e 400 net, i lidhur ne cimento, pa batanije, me buke thate.
Me 24 maj ’49, Presidiumi Popullor me fali jeten. Thuhej qe sipas informacioneve qe kemi marre me vone, ai nuk eshte fajtor per te gjitha akuzat qe rendojne mbi te. Me denuan me 20 vjet burg. Bera 11 vjet e gjysme, 6 muaj i fitova me pune. Dola ne vitin ‘58, me arrestuan prane ne ‘59, kot edhe kete here. E cava edhe nje here Degen e Elbasanit. Si ndodhi? Rrija mendoja ne biruce, me nje luge druri ne dore. Kercet luga siper ne tavan, kuptoj une qe nuk ishte prej betoni tavani, por prej kallami. Isha pak tip atletik. Bera nja dy gropa me bishtin e luges dhe cava tavanin e tjegullat, dola jashte, i hipa trenit per ne Peqin, me te mbathura sic isha.

Si hipe ne tren me te mbathura?
Jo tren pasagjeresh, tren mallrash, ndrydha kemben, me kapen, me arrestuan prane. Bera 9 vjet burg. Erdhi Kadri Hasbiu, ishte Ministror i Brendshem ne ate kohe. Me tha mua: Me mban mend mua? “Si s’te mbaj mend”, i thashe, “ke qene kryetar komisioni kur me kane denuar”. Dola nga burgu ne vitin ‘68, u martova, se thoshin shoket, qe te heqesh qafe telashet, duhet te martohesh. Krijova familje, bera edhe dy femijet e mi, me arrestuan prape ne vitin ‘76, me denuan me 10 vjet te tjera.

Pra, 30 vjet burg gjithsej per nje enderr, apo jo?
Po.

Nga c’zone e Shqiperise jeni dhe pse dolet partizan?
Dola partizan ne vitin ‘43. Une rrjedh nga nje familje zanatcinjsh. Jemi ndikuar nga levizja nacional-clirimtare, sidomos pas Konferences se Pezes, e ndiem per detyre. Habitem me disa njerez qe rrahin gjoksin se duan te kene merita per luften. Nuk eshte merite te luftosh per atdheun, eshte detyre. Dola ne batalionin vendas te Mahmut Vedallit, ndodhej para Pezes. Kjo deri ne dhjetor, deri ne operacionin gjerman te dimrit. Pasi u shkaterrua Peza, u shperndame neper shtepi. Une s’u dorezova, edhe pse regjenca shperndau nje urdher, sipas se cilit, ata ushtare qe nuk kishin lyer duart me gjak, nuk do t’i gjente gje.

Ne 7 maj ‘43 keni dale si partizan. Keni luftuar pra edhe kunder italianeve. Kush ishin me te ashper, italianet apo gjermanet?
Gjermanet, ishin me te ashper ata. T’ju tregoj une si ishin burgjet e tyre, si nata me diten, se kam bere edhe 10 muaj burg ne kohen e fashizmit.

Kthehemi pas atehere. Juve nuk u denuat, apo jo?
Jo, shkova ne Elbasan se i njihja bazat atje, me strehuan ata deri ne pranvere. Me pas shkova ne Cermenike. Me pas shkova ne Diber, formuam brigaden e 18-te, vazhduam deri ne Prizren me operacione. Ne qe ishim si zv. komandante batalioni erdhem ne shkollen e formimit te Tiranes, beme nja 2-3 muaj kurs, sa per te njohur rregullohen.

Keni qene prezent ne vrasjen e Mustafa Gjinishit?
Jo prezent, por e kam varrosur vete. Dua te them dicka tjeter. Si nisi pakenaqesia ime te Kongresi i Permetit ndaj regjimit. Erdhi buletini dhe ne faqen e pare shkruhej “Shqiperia do jete republike”. E dyta, familjes se Zogut i ndalohet ardhja ne Shqiperi. Se treti, njiheshin kufijte e para ‘39 ,qe do te thoshte se Cameria i dorezohej vullnetarisht Greqise dhe Kosova Serbise. Kisha nje kusheririn e Mustafait aty, ai erdhi ne Diber per te bashkuar bajraktaret me levizjen nacional-clirimtare. Nje dite qe e takoj une i them: Ti je eksponenti me i rendesishem i kesaj levizjeje, si rri vetem? “S’ka gje”, tha ai, se ishte shume trim ne fakt. Mustafai ne kongres reagoi ashper, ma kane thene persona qe ishin te pranishem. I ka thene Omer Nishanit per njohjen e kufijve te para ‘39: Stop ti kelysh fashizmi. Me c’te drejte njeh ti kufijte e para ’39, kur ajo toke eshte shqiptare?! Mustafai ishte me origjine nga Peja, te atin ia kishin pushkatuar ne kohen e Zogut, se ishte kunder bejlereve. Mustafane e vrane ne pabesi, prane Maqellares, ishte me majorin anglez Smith. E ka qelluar Ndreko Rino, me nje karikator te tere. E varrosem me ceremoni ne Peshkopi, siper shtepise se Faik Shehut. E kane kerkuar me pas, por trupin ia kishin hequr. S’dihet ku e kane varrosur.

U mor vesh qe e vrane komunistet?
Posi, e mori vesh gjithe Dibra. Por une nuk e dija se qe para vdekjes ai e ndjente se do e vrisnin. Ky i paska lene nje bllok shenimesh kusheririt te vet, me qellim qe t’ia jepte te motres ne Tirane. Bllokun ai ma dha mua, se kishte frike mos ia gjenin. E qepa ne astar te kapotes, kishte nje veshje qe nuk i bente gje as shiu. E hapa kur erdha ne Tirane, ketu ne Shkollen e Bashkuar. Shkruhej ne rusisht, italisht, frengjisht, anglisht, dhe ne shqip. Kishte edhe nje leter brenda ne shqip, qe Vasil Shanto ia dergonte dy jave para se te vritej, Mustafa Gjinishit. I thoshte: I dashur Mustafa, me fal qe te kam fshehur nje sekret, jam treguar i pabese ndaj teje, se ne vitin ’42, bashke me Enver Hoxhen kam shkuar ne rrafshin e Dukagjinit, kemi takuar Titon. Kemi ndenjur kater dite e kater net atje, ndersa ruheshim nga nje toge partizanesh jugosllave. Tito i dha dy udhezime Enverit: Ti do te jesh i pari yni, por duhet inteligjence, si dhe faktin qe klerin katolik duhet ta asgjesosh, sikurse edhe ndodhi. Pra, ‘41 ishte puc kunder Partise Komuniste.

Jeni i sigurt se letra ishte autentike?
Po, e Vasil Shantos.

E ku e cuat ate me pas?
E varrosa une, ne kopshtin tim ne Peqin. Hapa nje grope nje meter e gjysme, sepse kisha frike ta mbaja.

Cilet kane qene njerezit qe keni njohur ne keto 30 vite neper burgje e qe ju kane lene mbresa?
Kam njohur shume njerez, deri te Isuf Vrioni, njerez potente me deri 12 gjuhe. Me komunikuesi ishte Isufi. E di c’me tha njehere kur po punonim ne Rinas ne fushen e aviacionit? Po hanim pak mengjes, me tha Isufi: Aqif tha, moralisht ti je me lart se ne, ndersa ne jemi intelektualisht me lart, sepse kemi shkolle, kurse ti jo. Te vleresojme, se ti sakrifikove interesat e tua per Shqiperine, kurse neve na u preken interesat tona, sepse ne te kundert, ndoshta nuk do te ishim ne burg.

Ju permendet edhe Petro Markon? Ku e keni njohur ate?
Ne burg. Edhe me pare e njihja kur ishte kapiten e gazetar. E kisha takuar edhe ne Peqin. I thashe te me bente nje promemorie. Sepse kam nje problem, mund te flas e te flas, por per te shkruar nuk shkruaj dot. Qe t’i bej nje leter nje shoku, duhet ta gris nja 5-6 here.

Pas vitit 1986, cfare punuat kur dolet nga burgu?
Ne beton, beton lashe, beton gjeta.

Ku e ke bere burgun?
Fillova nga Gjirokaster, perfundova ne Spac.

Pas vitit 1990 cfare u be me ju?
Kur nisen ndryshimet, me moren shoket ne Elbasan, me zgjodhen kryetar te Shoqates se te Perndjekurve, kam hequr dore tani se jam shume i moshuar.

Ju keni shkuar disa here ne dyert e Ambasades Britanik 4-5 here?
Doja se paku t’u thoja qe isha denuar per vdekje per kete njeri, kolonel Palmer. Doja te shihja nje fotografi, ose qofte edhe nje sterline. Ne fillim, ne hetuesi me rrihnin e me thoshin emrin Pali, une nuk e merrja vesh kush ishte ky qe me pyesnin keta, Pali. Ata nuk thoshin dot emrin Palmer. Nuk me kane pranuar ne ambasade. Me thoshte postieri qe duhet te beja kerkese me leter, permes postes.

Vazhdoni ta keni prape kete synim?
Po, vijoj, por nuk me presin atje.

Me cfare merreni tani qe jeni pensionist, i keni shkruar kujtimet?
Kam dhene 7 cikle te Tv Dardan. Per te shkruar, sic te thashe, nuk shkruaj dot.

Si i konsideroni periudhen nga viti 1944-1990?
Vitet me te zeza qe ka pare Shqiperia. Tradhti, spiunazh, varferi, mjerim etj.

Te vjen keq qe edhe ti ishe pjese e instalimit te gjithe kesaj?
Po, me vjen keq, por eshte kupola ajo qe i ben dredhite, jo populli. Madje une kam qene dakord edhe per vetegjyqesi. Mendoj se duhet t’i denonte demokracia, ne emer te demokracise, sic na denuan ata neve dukur, ne emer te popullit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›