Rikthimi i kryengritjes
_851767.jpg)
Brenda një periudhe prej pesë ditësh javën e kaluar, militantët në Çeçeni i kanë shkaktuar humbje serioze forcave çeçene besnike ndaj Moskës, në kuadër të një serie të sulmeve të koordinuara, të cilat u mundësuan edhe si rezultat i motit të ligë.
Më 18 shkurt, ministria e Brendshme e Çeçenisë pranoi se janë vrarë 17 pjesëtarë të saj dhe janë plagosur 24 të tjerë.
Ishte kjo beteja e dytë kaq e ashpër brenda këtij viti.
Si e tillë, ajo dëshmon për shtimin e efikasitetit luftarak të kryengritësve që veprojnë në Çeçeni dhe gjithashtu mund të jenë lajmëtarë të intensifikimit afatgjatë të armiqësive.
Që nga tërheqja e kryengritësve çeçenë nga kryeqyteti i vendit, Grozni, më 31 janar të vitit 2000, intensiteti i luftimeve mes kryengritësve dhe forcave pro-ruse nuk ka mundur të vlerësohet me saktësi, pasi që situatat për luftimet shpesh nuk kanë qenë të besueshme dhe nuk kanë mundur të verifikohen.
Mediet ruse dhe perëndimore zakonisht citojnë pa verifikuar deklaratat e zyrtarëve çeçenë, për humbjet që forcat e sigurisë i kanë shkaktuar kryengritësve, deklarata këto të cilat shpesh duken si tejet të stërmadhuara.
Kryengritësit nuk janë gjithmonë në gjendje që të ofrojnë versionin e tyre të ngjarjeve, por numri i të vrarëve nga radhët e forcave të sigurisë që e ofrojnë ata, është pothuajse gjithmonë më i lartë, se sa që pranohet nga zyrtarët çeçenë dhe rusë.
Raportet për luftimet e fundit në qarkun juglindor Nozhai Yurt, në brezin kufitar me Dagestanin, e konfirmojnë këtë.
Duke krahasuar raportet nga ana e zyrtarëve çeçenë, të atyre të ofruar nga faqja e kryengritësve në internet, Kavkazcenter, del në sipërfaqe kjo kronologji:
Më 13 shkurt, rreth 30 deri 40 kryengritës futën në kurth policinë nga qarku Vedeno, duke vrarë pesë prej tyre dhe duke plagosur gjashtë të tjerë.
Kryengritësit u tërhoqën pa pësuar humbje, përkundër angazhimit të artilerisë dhe të helikopterëve luftarakë nga ana e forcave të sigurisë.
Më 15 shkurt, kryengritësit sërish sulmuan njësitë speciale të ministrisë së Brendshme të Çeçenisë, duke vrarë së paku katër policë dhe duke plagosur 13 të tjerë.
Më 16 shkurt, zyrtarët çeçenë theksuan se luftimet u zhvendosën Dagestanin fqinjë. U njoftua se pesë policë u vranë, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën.
Në ndërkohë, një zyrtar në Dagestan mohoi më 17 shkurt se luftimet mes kryengritësve dhe forcave të sigurisë janë zhvendosur nga Çeçenia në Dagestan.
Sekretari i Këshillit të Sigurisë, Magomed Bachilov, tha se operacionet ushtarake janë zhvilluar brenda territorit çeçen dhe se nuk ka pasur infiltrim të luftëtarëve nga Çeçenia në Dagestan.
Taktikat që përdorën kryengritësit në Nozhai Yurt, ishin të ngjashme me ato që i shfrytëzuan gjatë luftimeve në qarkun Vedeno, të cilat u zhvilluan në fillim të janarit.
Pas luftimeve në Nozhai Yurt, autoritetet çeçene ekspozuan trupat e tre personave të vrarë, për të cilët theksuan se janë kryengritës të vrarë nga forcat e sigurisë.
Megjithatë, aktivistët çeçenë për të drejta të njeriut theksuan se këta meshkuj janë nxjerrë nga një burg privat i presidentit pro-rus të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, më pas janë veshur me uniforma dhe janë ekzekutuar.
Nëse kryengritësit më të vërtetë kanë arritur të vrasin 30 policë rusë dhe çeçenë në Nozhai Yurt dhe Vedeno, brenda një periudhe kohore prej pesë ditësh, duke humbur me këtë rast vetëm pesë luftëtarë të tyre, atëherë kjo dëshmon se kryengritësit po e shtojnë mbizotërimin e tyre taktik.
Aq më tepër, sulmet janë ndërmarrë në terrene të larta malore, të mbuluara me borë. Kjo tani ngritë pyetjen: a janë sulmet e këtilla fillimi i trajnimit të kryengritësve për të luftuar në kushte të vështira dimërore, me qëllimin që të pengohen Lojërat Dimërore Olimpike në Sochi, të cilat do të zhvillohen në vitin 2014?
Apo ato paralajmërojnë ndryshimin e taktikës dhe zhvendosjen nga sulmet e herë pas hershme vetëvrasëse, siç ishte sulmi kundër fshatit të Kadyrovit, Khosi Yurt, në gusht të vitit 2010 dhe sulmi kundër policisë çeçene në Grozni një vit më vonë, drejtë sulmeve më të shpeshta dhe më të koordinuara kundër policisë çeçene në zonat malore, ku kryengritësit ende kanë bazat e tyre të veprimit?