Irani i “përgjigjet” embargos së perëndimit me stërvitje ushtarake

Irani paralajmëroi zbatimin e stërvitjeve ushtarake në tre ditët e ardhshme për të ritheksuar fuqinë e Republikës Islamike ndaj presionit të shtuar të fuqive perëndimore lidhur me programin bërthamor të këtij vendi.
Zyrtarët thanë se stërvitja do të zhvillohet në shkretëtirën e Iranit dhe do të përdoren raketat sipërfaqësore, një pjesë e të cilave mund të arrijnë deri në Izrael dhe jug të Evropës.
Anëtarë të Gardës Revolucionare thanë se stërvitjet do të demonstrojnë kapacitetin e Iranit për t’u përballur me ndonjë veprim armiqësor të shteteve të tjera.
Stërvitjet vijnë një ditë pas hyrjes në fuqi të embargos së Bashkimit Evropian ndaj importit të naftës së papërpunuar nga Irani.
Vendimi ishte marrë si masë ndëshkuese ndaj Teheranit lidhur me dyshimet për qëllimin e programit të tij bërthamor, akuza këto që vazhdojnë të hidhen poshtë nga zyrtarët iranianë.