Arben Ristani: Akuzat politike? KQZ zbaton vetëm ligjin
Kryetari i Komisionit Qëndror i Zgjedhjeve, Arben Ristani i sulmuar nga opozita për vendimet e institucionit mbi zgjedhjet apo edhe për referendumin e mbetjeve, hodhi poshtë të gjitha akuzat, duke deklaruar se nuk merret me politikë. I pyetur nga gazetarët, pasi mbajti një fjalë në seminarin me temë: “Trashëgimia zgjedhore europiane. Kodi i praktikave të sjelljes së mirë lidhur me cështjet elektorale”, Ristani tha se puna e tij është e fokusuar në zbatimin e ligjit, ndërsa sqaroi se mandati i KQZ-së përfundon në shkurt të vitit të ardhshëm. “Kemi zbatuar ligjin dhe gjykatat kanë folur për punën e KQZ-së ashtu siç ka folur edhe albitri ndërkombëtar OSBE/ODIHR-i. Mandati i KQZ-së mbaron në shkurt të 2013. Nuk merrem me politikë. Bëj punën time. Kriter vlerësimi për punën e KQZ-së është shteti ligjor nuk janë deklaratat e cilësdo parti politike”- u shpreh ai. I pyetur nëse do të jetë sërish kryetar I KQZ-së nëse propozohet, Ristani u përgjigj: “Puna që bëj është puna që dua dhe që pëlqej”.
Ndërkohë, më herët në hapje të aktivitetit “Trashëgimia zgjedhore europiane. Kodi i praktikave të sjelljes së mirë lidhur me cështjet elektorale”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Arben Ristani përshëndeti në emër të KQZ-së. Në fjalën e tij, z. Ristani citoi se ky aktivitet është një mundësi shumë e mirë për të promovuar arritjet e Shqipërisë në fushën e zgjedhjeve, sot kur vendi ynë ka presidencën e Këshillit të Europës dhe feston 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar. Ristani theksoi se institucioni që ai drejton ka qenë në syrin e ciklonit të akuzave politike. “Si KQZ kemi qënë shpesh në syrin e ciklonit, por unë dhe shumë kolegë të mi në administratën zgjedhore i kemi kapërcyer vështirësitë duke u mbështetur fort në Kodin e Praktikave të Mira. Dita e besimit do të vijë, bashkpunimi dhe jo konflikti, gjkftotësia dhe jo emocioni, ligji dhe jo dhuna janë parakushtet që i vë Kodi i Praktikave të Mira palëve për një bashkadministrim të suksesshëm të zgjedhjeve. Ajo që ne si administratë zgjedhore kemi patur kujdes të veçantë ta zbatojmë është që, disputin elektoral ta gjykojmë dhe zgjidhim bazuar në ligj dhe në Kodin e Praktikave të Mira, sepse ky Kod është sot referencë e pashmagshme e arsyetimit ligjor të palëve në proces, të KQZ dhe të gjykatës zgjedhore”- tha ai.