Irani lëshon 14 raketa balistike

Irani ka lëshuar mëngjesin e së martës 14 raketa balistike të modeleve të ndryshme, me rreze të shkurtër e të gjatë veprimi, në kuadër të manovrave “difensive”, apo seancës stërvitore ushtarake të nisura në fillim jave nga garda e revolucionit, dhe që do të zgjasin 10 ditë. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni shtetëror iranian. Raportohet se është lëshuar një raketë e tipit “Ghard”, me rreze të mesme, 1800 km, e aftë të prekë Izraelin, si dhe 13 modele të tjera me rreze të shkurtër veprimi, të tilla si “Zelzal” me rreze 400 km, “Shahab 1 e Shahab 2” , përkatësisht 300 dhe 500 km. Garda elitare e Revolucionit të Iranit ka nisur kështu ushtrime ushtarake me gjuajtjen e raketave të llojeve të ndryshme. Agjencia shtetërore e lajmeve të Iranit, IRNA, duke cituar komandantin e Gardës, Gjeneralin Ami Ali Hagjizadeh, të ketë thënë se ushtrimet e koduara me emrin, Profeti i Madh 6, filluan më 27 qershor. Gjenerali, forcat e të cilit mbajnë ushtrime lufte çdo vit në rajonin e Gjirit, ka thënë se ushtrimet e fundit janë një mesazh i paqes dhe miqësisë me vendet e tjera të rajonit. Në fund të muajit maj, Irani kishte njoftuar se e ka pajisur Gardën Revolucionare me një lloj të raketës së re, Qiam 1, që ishte ndërtuar në Iran dhe testuar gushtin e vitin të kaluar. Irani thotë se posedon një shumëllojshmëri të raketave, disa prej të cilave janë në gjendje të arrijnë edhe në brendësi të territorit izraelit si dhe në bazat amerikane të Lindjes së Mesme.