SHBA, në gjyq 5 policë të Nju Orlinsit

Pesë oficerë policie të akuzuar për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e 4 të tjerëve në incidentin e ndodhur në urën Danzixher në Nju Orlins kanë dalë sot para gjykatës. Ata akuzohen se kanë hapur zjarr ndaj disa civilëve të paarmatosur gjatë situatës kaotike të krijuar pas uraganit “Katrina”, në gusht të vitit 2005.
Prokurorët kanë deklaruar se oficerët në fillim kanë qëlluar civilët dhe më pas u përpoqën të mbulonin krimin e tyre.
Ndërsa avokatët mbrojtës deklaruan se klientët e tyre ishin të frikësuar për shkak të situatës kaotike të krijuar nga uragani dhe ishin të detyruar të përdornin forcën.
Pjesa më e madhe e Nju Orlinsit u përmbyt nga uragani dhe menjëherë më pas, në të gjithë territorin u përhap dhuna dhe plaçkitja.