E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani po ndërton 4 satelitë të tjerë

Teheran - Irani po ndërton katër satelitë të tjerë. Kështu deklaori dje ministri i Telekomunikacionit, pasi Republika Islamike lëshoi javën e kaluar në orbitë satelitin e parë të prodhuar në vend. Irani lëshoi të martën një satelit për kërkime dhe telekomunikacion, i quajtur 'Omid', një hap që ka shqetësuar fuqitë perëndimore, të cilët druhen se mos Teherani po përpiqet të ndërtojë një bombë bërthamore. Irani këmbëngulë se aktiviteti i tij bërthamor ka si synim të prodhojë energji elektrike dhe thekson se sateliti që ka lëshuar në orbitë është për synime paqësore.

"Po prodhohen katër satelitë të tjerë nga ekspertët iranianë", deklaroi ministri i Telekomunikacionit, Mohammad Soleimani,pa dhënë hollësi se kur mund të lëshohen ata. "Hollësitë lidhur me këto katër satelite do të bëhen publike në fazën e fundit të përgatitjes së tyre", deklaroi ai duke shtuar se pas lëshimit të satelitit 'Omid', Irani "do të përpiqet të rrisë peshën dhe lartësinë e satelitëve që do të lëshohen".

Ai deklaroi gjithashtu se sateliti 'Omid', që në gjuhën perse do të thotë 'Shpresë', po kryente në mënyrë të suksesshme misionin e tij. Media shtetërore ka njoftuar më parë se 'Omid' do të kthehet në tokë me të dhëna, pasi të qëndrojë në orbitë për një deri në tre muaj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›