Irlanda e Veriut, mungon mbrojtësi i Mançester Junajtid, Xhoni Evans
Xhoni Evans nuk do të luajë në miqësoren që do të zhvillohet sot në stadiumin “Qemal Stafa”, ndërmjet Shqipërisë dhe Irlandës së Veriut. Mbrojtësi i Mançester Junajtid në Angli ka pësuar një dëmtim gjatë finales së “Carling Cup”, që skuadra e Sër Aleks Ferguson fitoi përballë Aston Vilës. Pavarësisht problemeve, 22-vjeçari kishte udhëtuar së bashku me përfaqësuesen irlandezoveriore drejt Tiranës. Megjithatë, pas ekzaminimeve të kryera të hënën dhe të martën, stafi mjekësor i skuadrës mike vendosi mos të rrezikojë për ta përkeqësuar situatën e Evans. Kjo mungesë është një tjetër goditje për trajnerin Najxhëll Uorthington, që në këtë ndeshje nuk do të ketë në dispozicion as treshen e dëmtuar Damien Xhonson (Birmingam), Kris Brant (Uest Bromuiç), Geret MekAuli (Ipsuiç) si edhe sulmuesin e padisponueshëm Uoren Feni (Shefilld Uednesdei). Xhonson vuan nga një problem i papërcaktuar dhe u këshillua që të mos aktivizohej, në mënyrë që të mos rrezikonte komplikimin e dëmtimit, Brant ka pësuar lëndim në pulpën e këmbës, ndërsa MekAuli ka një dëmtim në ijë. Në anën tjetër, Feni ka marrë leje, pasi bashkëshortja e tij është në prag të lindjes së fëmijës.
Xhoni Evans do të zëvendësohet nga vëllai i tij më i vogël, Kori, i cili është gjithashtu një lojtar i Mançester Junajtid në Premiership. 19-vjeçari do të paraqitet në Shqipëri vetëm pak orë përpara ndeshjes, pasi dje ka luajtur me U-21 të Irlandës së Veriut ndeshjen kualifikuese kundër San Marinos. Evansi i vogël do të jetë një mbrojtës rezervë, pasi skuadra e Irlandës së Veriut ka shumë probleme me repartin difensiv për sfidën kundër kuqezinjve të Josip Kuzhesë. Trajneri Uorthington ka vetëm katër mbrojtës në dispozicion (Stefan Kraigan, Xhorxh MekKartni, Rajan MekGivern dhe Endrju Litëll), pasi pak ditë më parë ai vendosi të linte pushim dy lojtarët e Fulhamit, Aron Hjuxhs dhe Kris Baird.
E hëna ka qenë dita e parë e stërvitjes së miqve në tokën shqiptare. Seanca e zhvilluar në stadiumin “Qemal Stafa” u shty për afro një orë për shkak se mungonin topat e futbollit. Ndërkohë, stërvitja e së martës u zhvillua paradite në kompleksin sportiv “Dinamo”. Kjo për shkak të reshjeve të shumta që ranë gjatë ditës në kryeqytet dhe terrenit jo shumë të mirë të stadiumit “Qemal Stafa”. Duke parë kushtet e fushës dhe rrezikun për t’i përkeqësuar ato në prag të ndeshjes, irlandezoveriorët ranë dakord që të shpërnguleshin në fushën me bar artificial të kryesuesve të Kategorisë Superiore. Ata do të zhvillojnë edhe një tjetër stërvitje në Tiranë sot paradite, përpara fillimit të ndeshjes Shqipëri-Irlandë e Veriut, në orën 20:45.
#