E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irlanda e hapur per zgjerimin ne BE

Përveç gërshetimit të masave shtrënguese me rritjen ekonomike në kontekstin e krizës ekonomike dhe financiare në Europë, presidenca irlandeze ka venë në qendër të kalendarit të saj për gjashtëmujorin e ardhshëm proçesin e zgjerimit me Ballkanit. Gjatë kësaj presidence priten hapa konkrete për zgjerimin në mars dhe qershor. Ky predispozim jep dhe një shans të qartë për marrjen e statusit Shqipërinë, nëse aprovohen tre kriteret e përcaktuara nga Komisioni Europian:

“Ka një oportunitet të artë për presidencën tonë për të ecur përpara me zgjerimin kryesisht për vendet e Ballkanit Perëndimor. Vitin e ardhshëm do të jetë 10 vjetori i samitit të Selanikut. Në shumë aspekte, duhet thënë që progresi për rajonin nuk ka qenë aq i shpejtë sa do kishim dashur, por kjo për shkaqe nga të dyja anët, pasi është një proçes dypalësh. Ne presim raportet e ndërmjetme të Komisionit në fund të marsit apo fillim të prillit. Presidenca do të udhëhiqet nga këto progres-raporte për të ecur më para”- shprehet ministrja e çështjeve evropiane të Irlandës Lucinda Creighton.

Ndërkohë, presidenca irandeze është qartazi optimiste për një stad të ri të integrimit të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi besim se progresi në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës do të jetë i mjaftueshëm që të na lejojë të hedhim një hap përpara me marrëveshjen e asocimit dhe stabilizimit me Kosovën, si dhe një datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë në qershor. Ky është qëllimi ynë, por varet dhe nga vendet”-vijon Creighton.

Bashkimi Europian dëshiron që të shënojë një hov të dukshëm gjashtëmujorin e ardhshëm në politikën e zgjerimit, për të nderuar 10 vjetorin e samitit të Selanikut, ku BE i premtoi rajonit anëtarësimin në këtë organizatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›