E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ironia e fshehtë e miqësisë

Kohë më parë, të cilat i kujtoj me mall dhe nostalgji, i kam dashur shumë! I doja dhe më donin, por një ndër arsyet themelore të ndarjes sonë ishte edhe vetë natyra ime. Ata ishin të lumtur, të gëzuar, kishin gjithçka dëshironin, ndërsa mua më mungonin shume gjëra. Në këto pozita, edhe njeriu më i mirë, edhe natyra më fisnike dhe e lartësueshme, ndien egoizëm dhe zili për tjetrin! Madje ekziston një mendim i përhapur në masë, se për të afërmin tënd, për atë që do më shumë, për atë që të qan zemra, pikërisht për këtë të afërt vjen një çast dhe njeriu ndien urrejtje, zili! Ndoshta do të çuditeni, por në thellësinë e saj me të fshehtë, edhe natyra më sublime njerëzore, e pajisur me vetitë më fisnikë që mund të bëhet, shndërrohet në djallin vetë dhe urren gjithë çfarë e rrethon! Kështu më ndodhi edhe mua me ta, me sinqeritet e çiltërsi e pranoj që më gëzonin që të gjithë, por në brendësinë time të papërshkrueshme dhe fatmirësisht të panjohur prej tyre, ndieja urrejtje dhe frikë, s’i duroja dot dhe me ngjallnin krupën! Se, do thoni ju, ç’është kjo kështu, si mund të jetë e vërtetë kjo! Por ja që kështu është, çdo njeri e di që më i këndshëm, më i dashur, më i afërt dhe më ngushëllimtar është njeriu që ndodhet në vështirësi, në dhembje dhe vuajtje, ndërsa i lumturi të ndjell krupën, të kall datën, të shkakton zili, të dëmton shpirtin, pa të të bërë asgjë me paramendim ndodh kjo, por ja që ty, kur je në pozitën e atij që sheh me admirim të fshehur të përzier me zili, të duket sikur ta bën për inat; ndaj instinktivisht thellë – thellë njeriun e gëzon më tepër një lajm i keq dhe i kobshëm i mikut, sesa lajmi i një gëzimi të vërtetë! Është e vërtetë e hidhur, fort e hidhur kjo, të mbetej me kaq do të ishte mirë, por për ta mbyllur këtë ide të cilën e kam pasur gjithnjë në kokë duhet thënë dhe diçka tjetër lidhur me natyrën njerëzore, edhe më e rëndë akoma. Kur ndihesh në nevojë apo trishtim, kur të kaplon zemërimi dhe të mbyt vetmia, kur nuk ke ku të përplasesh dhe të gjesh mbështetje, në çastin kur ti takon të afërmin tënd, miku i zemrës apo i gjakut qoftë ky, ti ndjen një dëshirë të tmerrshme e të papërshkrueshme shtazarake për ta ulur atë në pozitën tënde të vështirë! Kërkon me të gjitha forcat që ta shohësh të poshtëruar si veten, nuk le dy gurë bashkë për ta parë të fyer e të telendisur deri në fund! S’ka dyshim që kjo është e vërtetë, kjo ndjesi e dëmshme dhe djallëzore ka zënë rrënjë të pashkulshme në natyrën e njeriut në përjetësinë e kohës! Dhe nëse e ndien këtë, bën gabimin më të madh nëse mendon keq për veten sepse e gjithë kjo nuk është poshtërsi, por është gjendja e natyrshme e poshtërsisë se njeriut, e natyrshmëria nga poshtërsia e vetëkërkueshme si qëllim në vetvete, ndryshojnë thelbësisht nga njëra-tjetra! E pas kësaj, nëse ia del që rrethanat të vijnë sipas dëshirës se ndyrë (por të çiltër) që ti mbart në shpirt, pra nëse ndodh që edhe mikun tënd më të afërt apo njeriun e gjakut e zapton e njëjta ndjesi e poshtër dhe fyese si edhe ty, atëherë, në atë çast, ty të fisnikërohet gjithë qenia, të kreshpërohet sedra dhe të rritet dashuria për të! Gjithë këto nuk është se ndodhin me dëshirën tënde hipokrite që ai të ringrihet në vendin e adhurueshëm e të lakmueshëm në të cilën ndodhej përpara se të barazohej me ty në zymtësinë e trishtueshme të uruar nga personi yt dashakeq me keqësinë me të madhe të sinqertë, por për ta mbajtur për sa më shumë kohë në atë gradë të cilën vetë ia urove; fillon ta duash e ta respektosh më shumë, nis t’ia miklosh shpirtin e t’i qëndrosh më pranë, gjithë këtë me dashuri e bën, por që në instinktet e veta më të thella, gjithë kjo poshtërsi zotëron një vërtetësi të madhe të pashpjegueshme dot, në gjithë këtë ngushtësi të ulët e të poshtër dominojnë ndjenja shtazare e të djallëzuara, të cilët për fat të keq, siç e thashë, janë pjesë e karakteristikave të natyrshme të asaj qenieje sublime e fort të ndërlikuar që I Plotfuqishmi e emërtoi me emrin Njeri!

http://tiranacalling.wordpress.com/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›