Transplanti i palcës së kockës, edhe në Shqipëri
Pas realizimit të transplanteve të para të veshkave në vendin tonë, një tjetër ndërhyrje ambicioze është në plan për t’u përmbushur. Bëhet fjalë për kryerjen e operacionit të transplantit të palës së kockës. Dhjetëra pacientë që vuajnë nga leukozat, ndryshe nga tumoret e kockave, por kryesisht edhe pacientët talasemikë shpeshherë kërkojnë ndihmë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, për të përfituar nga marrëveshjet e bashkëpunimit, apo projektet ndihmëse, për t’u drejtuar për ndihmë të specializuar në spitalet dhe qendrat shëndetësore europiane. Ndërkohë që një lajm i mirë për realizimin e njërës prej ndërhyrjeve më të vështira dhe të rëndësishme në të gjithë botën, vjen edhe për pacientët shqiptarë. Inaugurimi i masterplanit të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, do të jetë një ogur i mirë për pacientët që kanë nevojë për kryerjen e transplantit të palcës së kockës.
TransplantiGjatë kësaj jave, ministri i Shëndetësisë, së bashku me një delegacion ishin për një vizitë zyrtare në Kinë.
Pjesë e delegacionit ishte edhe drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas tij, rezultantja e takimeve është pozitive për disa fusha të shëndetësisë, por edhe për projektin e realizimit të ndërhyrjen ambicioze. “Gjatë vizitës, pala kineze ishte tepër e gatshme për ta ndihmuar Shqipërinë duke i dhënë asistencë trajnimi dhe kualifikimi specialistëve shqiptarë. Po ashtu është menduar të kryhet një binjakëzim mes spitalit universitar të Pekinit, një nga më të mëdhenjtë në të gjithë botën dhe qendrës spitalore universitare ‘Nënë Tereza’”, sqaroi Pëllumb Pipero. Sipas tij, mendohet se transplanti i palcës së kockës është një ndërhyrje e cila do të mendohet për t’u realizuar, menjëherë pas inaugurimit të masterplanit të QSUT-së. Ndërkohë që ky operacion është një zgjidhje shumë e mirë jo vetëm për pacientët talasemikë, por edhe për të sëmurët nga leukomat.
TakimiDelegacioni shqiptar ka zhvilluar një takim me ministrin e Shëndetësisë kineze, Chen Zhu.
Në takim u ra dakord për ngritjen e grupeve dypalëshe të punës, të cilët do të propozojnë veprime konkrete në disa fusha prioritare të bashkëpunimit. Ndër to janë edukimi dhe trajnimet në sektorë prioritarë shëndetësorë, si dhe bashkëpunimi për njohjen e mjekësisë tradicionale kineze dhe praninë e saj në Shqipëri.
Palët diskutuan rreth shkëmbimit të eksperiencave në fushën e sëmundjeve të gjakut dhe transplantet e palcës së kockës.
Në bashkëpunimin shqiptaro-kinez parashikohet shkëmbimi i informacionit shëndetësor në kohë reale ndërmjet dy vendeve për sëmundjet infektive dhe kronike. Gjithashtu, u ra dakord për vizita të tjera në fushat e interesit të përbashkët. Së shpejti, një delegacion me ekspertë teknikë në fushën e cilësisë dhe sigurisë së barnave do të vizitojë Kinën për shkëmbim eksperience.
#