Mehmet Xhelili: Pirandelo, me mesazhe të fuqishme për shoqërinë dhe homazh për teatrin
Teatri Kombëtar vijon të sjellë në skenën e tij kryevepra të autorëve të njohur botërorë. Në vijim të sezonit artistik në skenën e TK vjen tragjikomediaGjashtë personazhe kërkojnë autor, e cila ngjitet në skenën teatrore, për të vijuar dhe gjatë fundjavës. Vepra, e cila mban firmën e dramaturgut të njohur italian Luigi Pirandelo vjen në skenë me regji nga Mehmet Xhelili.
Në një intervistë dhënë për gazetën regjisori Xhelili shprehet se kjo vepër sjell një emocion të veçantë për publikun, sepse vepra në thelb ka një forcë tërheqëse, ka një histori të bukur, një subjekt të bukur, ka një problematikë që prek plagët e shoqërisë. Subjekti i saj mbështetet në një gjetje të mrekullueshme, sa të çuditshme e spektakolare, aq edhe tronditëse e emocionante, sa tragjike, aq edhe komike. Në të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal. Në këtë intervistë regjisori Xhelili tregon mbi vështirësitë e vënies në skenë të veprës dhe flet mbi punën me kastin e aktorëve.
-Vepra Gjashtë personazhe kërkojnë autor erdhi si premierë në skenën e Teatrit Kombëtar. Çfarë mund të na thoni mbi realizimin e saj në skenën teatrore dhe pritjen që i bëri publiku?
Netët e shfaqjes ishin net me një atmosferë festive, pasi në fund të fundit shfaqja e teatrit është një festë dhe kështu ka nisur që kur ai nisi në Greqinë e lashtë. Kanë qenë net shumë të veçanta për mua dhe unë kam qenë shumë i lumtur për shfaqjen. Tre netët e para kanë qenë net prove për shfaqjen, por në veçanti vepra të tilla si Gjashtë personazhe kërkojnë autor të një shkrimtari shumë të madh me një kompleksitet shumë të gjerë, me një filozofi të fuqishme dhe të fortë me mesazhe të fuqishme. Pra një shkrimtar Nobelist, një shkrimtar që është dhe dramaturg dhe i teatrit, ku vetë shpeshherë ka vënë dhe veprat e tij. Duke qenë e tillë vepra, shumë e fuqishme dhe shumë tërheqëse për publikun, duke i shtuar kësaj dhe personazhet, të gjitha këto bëjnë sfidën krijuese timen në Gjashtë personazhe kërkojnë autor, pasi ditët e premierës çdo artist apo regjisor është në provë, pra se si do ta presë publiku, i cili vihet para një vepre të re, dhe aktorët së bashku me regjisorin gjithë atë punë krijuese e shohin se si e pret publiku. E ndërkohë që publiku e ka pritur shumë mirë shfaqjen dhe kam pasur një vlerësim shumë pozitiv mbi shfaqjen dhe padyshim ky është vlerësimi më i madh dhe pas asaj lodhjeje unë mund të çlodhem dhe të rimarr dinamikën normale të jetës.
-Mesazhi që përcjell vepra dhe pse zgjodhët Pirandelon për në skenën shqiptare?
Pirandeloja në shumë nga veprat e tij e merr subjektin nga teatri vetë. Pra Gjashtë personazhe kërkojnë autor e merr subjektin nga skena e një teatri. Janë gjashtë personazhe të krijuar nga fantazia e autorit dhe ka tentuar që ti fusë në botën e artit dhe i ka dërguar në skenën teatrore. Ai mendon se më mirë se në skenë ata nuk mund të marrin jetë në një vend tjetër. Ata vijnë në skenën e teatrit në një ditë të zakonshme, ku një regjisore me trupën e saj janë duke bërë prova. Ata vijnë dhe i thonë se ne duam të marrim jetë nga ju, pasi ne kemi një dramë shumë të fuqishme. Ajo që është shumë internate dhe e bën tërheqëse veprën e Pirandelos është që personazhet fillojnë dhe shfaqin dramën e tyre para aktorëve, por dhe para publikut. Pra publiku shikon shfaqjen, është diçka shumë e fort. Ata personazhe përpara publikut dhe aktorëve të tjerë shfaqin dramën e tyre, e cila është shumë e fortë, e fuqishme që prek probleme të vërteta ekzistenciale që kanë të bëjnë me ekzistencën e njeriut, psikologjike e sociale, misterin e mënyrës së jetesës, të hipokrizisë, të moralit të familjes, pra drama prek probleme shumë të mprehta, që kanë të bëjnë me familjen, me konfliktet, egoizma, me ato probleme të thëna dhe të pathëna, që kanë të bëjnë me njeriun dhe shtrojnë probleme që kanë të bëjnë me degradimin e familjes me probleme të tilla siç është varfëria, me abuzimin, me një vajzë e cila është e detyruar që të bëhet prostitutë, sepse është e detyruar nga rrethanat për shkak se nuk ka me se të ushqehet, pra vepra kap probleme shumë të mprehta të një shoqërie dhe këto janë të dhëna në mënyrë shumë të bukur, duke theksuar anën dramatike të personazheve, por në të njëjtën kohë edhe duke i ballafaquar personazhet me trupën e aktorëve që janë pjesë e subjektit dhe ata nuk e kuptojnë dramën e këtyre personazheve. Këtu fillon dhe lind komikja, pasi ata e shikojnë vetëm nga jashtë dramën e tyre dhe ata personazhe thonë se drama jonë nuk është kjo, pasi ju nuk po shihni dot brenda nesh, dhe këtu fillon dhe Pirandelo, një mesazh tjetër shumë të fuqishëm që ka të bëjë me komunikimin, ku jo vetëm ajo e komunikimit të personazheve me njëri-tjetrin, pra se si mund të kuptojë një aktor me një personazh, por dhe komunikimi në jetë, familje dhe në shoqëri. Pra Pirandelo e shikon shumë këtë dramë të madhe të njeriut, që ka të bëjë me moskomunikimin.
-Sa keni ndërhyrë tek vepra e Pirandelos për ta sjellë në skenë?
Është normale që çdo regjisor do ta përshtatë veprën për kohën, për vendin, për publikun, të cilit i drejtohet dhe kjo është normale dhe këtë e bën çdo regjisor. Vetë Pirandelo sa i takon veprave të tij në një farë mënyre i jep të drejtën çdo regjisori që të mos e shohë si një gjë statike, si të palëvizshme, por si diçka që ka të bëjë me mënyrën dhe sa më shumë lexime të veprës të ketë një vepër, aq më shumë dalin në pah potencialitetet e kësaj vepre. Natyrisht për publikun shqiptar që ballafaqohet me Pirandelon për herë të parë, unë nuk është se kam bërë shumë devijime nga vepra e Pirandelos më përjashtim të redaktimit të vogël, pra çdo regjisor që ka vënë Pirandelon pa dyshim që ka bërë një redaktim sipas kohës. Unë kam bërë një ndryshim joesencial, pra nga personazhi i kryesor që është regjisor dhe atë rol unë ia kam besuar një aktoreje shumë të talentuar siç është Olta Daku. Gjithashtu një trajtim regjisorial unë kam bërë dhe për teatrin. Sipas Pirandelos ngjarja ndodh në një ambient të zakonshëm provash, por problemi ishte se në cilin teatër dhe unë doja ti kujtoja spektatorit se në çdo moment kjo ndodh në teatër dhe pikërisht në Teatrin Kombëtar në Shqipëri. Në tekst nuk është ndërhyrë fare në këtë aspekt, por unë e kam bërë duke bërë një efekt skenografik, duke sjellë të gjithë teatrin dhe kam vënë lozhat teatrit, pra e kam miksuar në një lloj mënyre hapësirën. Publiku dhe aktorët janë në një hapësirë dhe kjo mund të quhet një guxim regjisorial. Këtë shumë spektatorë dhe dashamirës të teatrit e kanë pëlqyer, sepse e kanë ndier veten, më kanë dhënë vlerësim dhe një nga spektatorët që ka parë shfaqjen më ka thënë që ne e ndjejmë veten pjesë të kësaj që ndodh. Dhe nëse është bërë ky vlerësim është patjetër gjetja ime regjisoriale.
-Në skenën teatrore erdhën emra të njohur aktorësh, si regjisor çfarë mund të na thoni mbi interpretimin e tyre?
Pa dyshim që një vepër skenike është një kontribut i shumëfishtë i shumë krijuesve, si aktorët, kostumografë, skenografë etj, që janë dhe të prapavijës së teatrit, e cila në shumë intervista nuk përmendet, por që luan një rol shumë të rëndësishëm për krijimin e shfaqjes pra Gjashtë personazhe kërkojnë autorështë kontribut i të gjithë atyre që duken apo nuk duken brenda në skenë. Pra është një gjë shumë komplekse dhe pa dyshim që pa aktorët nuk mund të ketë shfaqje. Unë do të doja që ti falënderoja që të gjithë për kontributin e tyre, pasi qendra e skenës gjithmonë mbetet aktori dhe sa i takon veprës së Pirandelos aktorët e shfaqjes janë: Fatos Sela, Eftjola Laçka, Olta Daku, Marjeta Ljarja, Dritan Boriçi, Suela Konjari, Flaura Kureta, Fadil Kujovsa, Sokol Angjeli, Devis Muka, Merkur Bozgo, Erin Kujovsa, Dea Xhelili, Klodian Hoxha, Elida Janushi, Dasara Xhangolli, Arjeta Dhima.
-Në shfaqje marrin pjesë dhe dy fëmijë, njëra prej tyre është dhe vajza juaj?
Dea është vajza ime, por ajo nuk është aty se është ime bijë por sepse është në rolin e