E Shtunë, 31 Tetor 2026

Isa kthehet në Boletin

Eshtrat e heroit kombëtar, Isa Boletini, së shpejti do të prehen në vendlindjen e tij, në fshatin Boletin.

Në vitin 1998, eshtrat e Isa Boletinit u sollën fshehurazi në Kosovë, pasi që paraprakisht ishin ekshumuar nga varrezat myslimane në Podgoricë. Atje Isa Boletini dhe të bashkëluftëtarët e tij ishin të varrosur që në vitin 1916.

Në një intervistë dhënë Radio Dukagjinit, stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, deklaroi se më meritori për sjelljen e eshtrave të parardhësit të tij në Kosovë ishte ish-kryetari i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, mulla Idriz Demiri, ndonëse rol të rëndësishëm patën edhe profesori Pajazit Nushi dhe profesori i ndjerë, Muhamet Shukriu.

Kur në vitin 1998 po përgatitej bartja e eshtrave të Isa Boletinit, ato fillimisht u lanë me kemikalie për të mos kundërmuar gjatë kalimit të kufirit me Malin e Zi, prej nga do të hynin fshehurazi në Kosovë. Por, sipas Gazmednit, ishin pikërisht këto kemikalie që ndikuan në mospasjen mundësi të identifikimit të eshtrave përmes analizës së ADN’it.

Aktualisht, eshtrat e Isa Boletinit ndodhen në Kuvendin Komunal të Mitrovicës. Pritet që më 24 nëntor ato të rrivarrosen në mënyrë institucionale në fshatin Boletin. Po atë ditë, në Mitrovicë pritet të zbulohet edhe shtatorja e Isa Boletinit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›