‘Ditët e Naimit’, në tre qytete

Më 18 tetor, dhjetëra poetë nga vende të ndryshme të botës, do të takohen në Tetovë, e gjatë dy ditëve të tjera festivali do të zhvendoset fillimisht në Prizren, ndërkohë që nata e fundit do të mbahet në Prishtinë.
Në natën e parë, në hollin e Shtëpisë së Kulturës në Tetovë, hapet ekspozita e piktorit Miftar Memeti, e cila mban emrin "100 vjet pavarësi".
"Edicioni i 16’të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë - ‘Ditët e Naimit’, hapet në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës", ka sqaruar për mediat shqiptare në Maqedoni drejtori i festivalit, Shaip Emërllahu.
Sipas tij, në ditën e dytë, në amfiteatrin e Universitetit Shtetëror të Tetovës do t’i ndahet çmimi laureates së sivjetme, që është shkrimtarja suedeze, Tua Forstrom.
"Pas kësaj, poetët do shkojnë në Teqenë Arabati Baba, ku do të priten nga përfaqësues shpirtërorë të komunitetit bektashian. Ndërkohë që, pas kësaj, ata do nisen për Prizren, ku do të mbahet ora letrare me titull ‘Poetë dhe Vargje’", tha Emërllahu.
Ndryshe, edicioni i sivjetmë përkrahet financiarisht nga ministritë e kulturës të Maqedonisë dhe të Kosovës. Festivali Ditët e Naimit është pjesë e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.