Ish- prokurori, Besnik Muçi: Ahmetaj, nëse shpallet fajtor, rrezikon deri në 20 vite burg

Ish- prokurori Besnik Muçi, gjatë një interviste për RTSH-24, parashikoi deri në 20 vite burg për ish- ministrin, njëkohësisht edhe deputet, Arben Ahmetaj.
Sipas tij, për secilën akuzë të ngritur ndaj Ahmetajt, do të merren vendime të veçuara dhe më pas bëhet bashkimi i vendimeve për dënimin e tij.
“Pastrimi i parave është një vepër penale që, sipas Kodit Penal, parashikohet nga 7 deri në 15 vite burg. Kurse për korrupsionin pasiv, Kodi parashikon nga 3 deri në 8 vite burg. Vepra penale e shpërdorimit të detyrës ka si masë dënimi deri në 2 vite burg. Në bashkim të dënimeve Ahmetaj mund të dënohet deri dhe me 20 vite burg. Pasuritë e tij ngrijnë, dhe në përfundim të gjykimit, nëse shpallet fajtor, i sekuestrohen si pasuri të vëna nga veprimtari kriminale.”- deklaroi Muçi.
Sipas tij, nga ana e prokurorisë ka përfunduar hetimi për Ahmetajn, lidhur me çështjen e inceneratorëve, pavarësisht se aty ka disa ndërlikime.
“Imuniteti, sipas ligjit të ri, është kufizuar për deputetët, me përjashtim të arrestimit. Prokuroria kërkon autorizim nga Kuvendi. Kërkohet arrest me burg pasi kemi të bëjmë, sipas prokurorisë, me pagesa, pastrim parash, fshehje pasurie, deklarime të rreme. Sipas procedurës, duhen 15 ditë që Kuvendi të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë. Do të gjykoj Kuvendi nëse do të japë autorizimin. Teknikisht, mbledhja e komisionit të mandateve dhe imunitetit mund të mbahet edhe në moment. Por duhet pak kohë që të shqyrtohen materialet e prokurorisë.”- u shpreh Muçi.
Sipas tij, kërkesës i janë bashkangjitur edhe faktet nga dosja për të cilat kërkohet arrestimi i Ahmetajt.
“Në momentin që Kuvendi jep autorizimin ai do të arrestohet. Nëse Kuvendi nuk e jep autorizimin të gjitha bien poshtë. SPAK ka detyrimin që të kryejë të gjitha hetimet në lidhje me Ahmetajn. Prokuroria duket se është e bindur për veprat penale të kosnumuara nga Ahmetaj ndaj kërkon arrestimin e tij, që është masë ekstreme. Imuniteti, gjithësesi, nuk e pengon prokurorinë të vijojë hetimet”- nënvizoi Muçi.
/rtsh.al/