E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-Fusha e Aviacionit, projektohet rruga për qarkullimin e automjeteve dhe komunitetit

Punimet te ish-Fusha e Aviacionit po vazhdojnë në të gjithë zonën që përfshin ky projekt. Janë kryer volumet më të mëdha të tyre në trupin e rrugës. Një nga problematikat e ndeshura në realizimin e këtij projekti është lirimi i sheshit nga ndërtimet pa leje, si gardhe, shtesa një dhe dykatëshe, zënie të sipërfaqeve publike për lokale private etj., ndërkohë që së shpejti do të fillojë asfaltimi i rrugës në anën veriperëndimore të objektit dhe shtrimi i disa shesheve me beton të stampuar. Në anën verilindore po përgatitet projekti i rrugës pas pallateve, rrugë e cila do të sigurojë qarkullimin e lirshëm të mjeteve dhe të komunitetit dhe do të mundësojë një ecuri normale të punimeve edhe në këtë zonë të projektit. Ndërhyrja shtrihet në një hapësirë urbane që përkon me Pistën e Aviacionit, me përmasa 50 metra e gjerë dhe 1 km e gjatë. Projekti imiton strukturën e një dorëshkrimi dhe përmban shtrime dyshemesh, bimësi të ulët dhe bimësi të lartë. Projekti për parkun në ish-Pista e Aviacionit konsiston në krijimin e një hapësire urbane, një parku tematik, i cili ka për qëllim të mos fragmentojë më tepër hapësirën ekzistuese, përkundrazi, ai synon të njësojë dhe të lidhë më tepër segmentet urbane (të ish-Pistës së Aviacionit), hapësirat ekzistuese mes tyre, si edhe me ato hapësira të cilat do të zhvillohen në të ardhmen. Në pjesën jugore të segmentit të ish-Fushës së Aviacionit parashikohen hapësira për mirëmbajtjen e parkut edhe përmes nismave private.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›