Dhori Kule zgjidhet kryetar i Rrjetit të Universiteteve të Ballkanit
Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, u zgjodh të premten kryetar i Rrjetit të Universiteteve Ballkanike gjatë kongresit të dytë të rrjetit të mbajtur në Erdene të Turqisë. Kule do të shërbejë si kryetar i dytë i rrjetit, pas rektorit të Universitetit të Erdenesë, mandati i së cilët përfundoi përpara pak ditësh. Ky është një nder për Universitetin e Tiranës dhe për vendin tonë, - theksoi rektori Kule. - Rrjeti i Universiteteve të Ballkanit është një institucion i rëndësishëm që ka të gjitha mundësitë për të rritur kapacitetet dhe mundësitë e universiteteve të rajonit tonë nëpërmjet bashkëpunimit shumëpalësh. Gjatë kongresit të Rrjetit të Universiteteve Ballkanike u bisedua në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve të rajonit. Me një klimë pozitive, të gjithë rektorët e universiteteve ballkanike, të pranishëm në këtë kongres, theksuan nevojën e një bashkëpunimi më të thellë dhe më cilësor ndërmjet universiteteve të rajonit. Pas përfundimit të bisedimeve u hodh në votim kryetari i rrjetit, i cili rezultoi rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule. Rrjeti i Universiteteve të Ballkanit është një nismë e rektorëve të universiteteve nga shtatë vende të rajonit, të cilët në vitin 2006 nënshkruan marrëveshjen për ngritjen e një rrjeti të përbashkët që do të ndihmonte në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve.