Fokus/ Taulant Balla dhe Besnik Bare ndajnë në dysh fjalimin e Ramës, njëri flet për krimin dhe tjetri për zjarret
Edi Rama vlen sa dy deputetë socialistë. Ky është mesazhi qe del nga dy konferencat për shtyp të deputetëve të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Besnik Bare. Nëse para dy ditësh kreu i PS në konferencën e fundit për shtyp foli për zjarret dhe krimin, dje deputetët Bare dhe Balla folën secili për vete, njëri për krimin në afërsi të Ministrisë së Brendshme dhe tjetri për zjarret. Dukshëm përmbajtja e dy konferencave ishte njësoj me fjalimin e Ramës në grupin parlamentar të PS. Para disa ditësh ishte deputeti socialist Tahiri që deklaroi se për tre muaj kanë vdekur 158 veta, ndërsa pardje Edi Rama shtoi se “ka më shumë të vdekur në Shqipërisë sesa në Irak dhe Afganistan”, kurse dje Taulant Balla e përforcoi me shifra imagjinare me “500 të vdekur”, sipas tij, më shumë se në Sirinë e Asadit. Siç duket, Rama e Balla pas udhëtimit në Afrikën e Jugut për të ngritur dorë në shenjë vote për mikun grek Papandreun, kanë filluar të merren dhe me gjeopolitikën e Lindjes se Mesme dhe jo me realitetin e përditshëm shqiptar. Kuptohet vetiu, shifrat e PS për gjenden e rendit dhe krimit në vend janë spekulative pa kurrfarë vërtetësie shkresore të INSTAT as statistikore të policisë së Shtetit. Ndërsa e vërteta e shifrave zyrtare është ca ndryshe sepse para disa ditësh në një prononcim për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj deklaroi me përgjegjësi se krime të renda ndaj pronës (vjedhje me armë, shkatërrim të pronës private) kemi pasur 152 raste më pak se një vit më parë. Ndërsa krime të renda si vrasje janë më pak se sa një vit më parë. Për vjedhjet e vogla ai theksoi se ky nuk është një fenomen i ri, ndërsa ka vite që ky fenomen që po luftohet dhe autorët janë arrestuar. Tre muajt e fundit pasur 40 vjedhje çantash në Tiranë. 54 vjedhje celularësh. 34 vjedhje varësesh. Është një fenomen shqetësues por i kontrollueshëm. sipas drejtorit të Policisë së Shtetit kemi 115 krime të zbuluara dhe 140 autorë të arrestuar, disa prej tyre janë liruar nga gjykatat pasi janë të mitur. Sigurisht, Sigurisht, në këtë deklaratë për shtyp të Taulant Ballës (po ashtu dhe Rama e Tahiri) mungoi padyshim solidarizimi me punë e palodhshme të efektivëve blu të policisë së Shtetit. Gjithashtu për zjarret, konferenca për shtyp të improvizuar në një vatër të fikur zjarri, deputeti Besnik Bare ka aluduar se zjarret e vendos qeveria për të eksportuar qymyr! Kësisoj dhe Bare përcolli të njëjtat fjalë që kish thënë Edi Rama për zjarret, se qeveria është e paaftë për të fikur zjarret. Por ajo që bie në sy edhe në këtë deklaratë është mungesa jo vetëm e një apeli qytetar për përgjegjësi apo dënimin e rasteve kur individë të caktuar djegin qëllimisht masive të tëra pyjesh, por mungoi dhe solidarizimi me strukturat e policisë së shtetit, ushtrinë dhe specialistët e ministrisë së Mjedisit, të cilët edhe pse në kushte të terrenit të thyer, po përballojnë emergjencën civile duke luftuar zjarrin e vënë nga dora e papërgjegjshme e njeriut. Ndërkohë, në vend të tregohet e përgjegjshme, opozita e majtë i “fryn” zjarrit me akuza të forta që shërbejnë për luftën politike dhe jo për fikjen e zjarrit. Sigurisht në kushtet e një politike normale duhet të mbizotëronte padyshim solidarizimi me zjarrfikësit, policët, ushtarakët, pilotët dhe banorët që punojnë për shuarjen e vatrave të zjarreve anekënd, ndërsa shefi i opozitës urdhëron pa pikë përgjegjësie deputetët socialiste të dalin në konferenca për t’i “hedhur” benzinë zjarrit të përditshëm të akuzave ideologjike.
...