E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Muiznieks: “Investigimi i plotë i 21 janarit, thelbësor për vendin”

06-09-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha shprehu dje gjatë takimit me Komisionerin për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Nils Muiznieks, vlerësimet për misionin e rëndësishëm të tij dhe kontributin që Këshilli i Evropës dhe zyra e tij kanë dhënë në drejtim të konsolidimit të të drejtave të njeriut në hapësirat evropiane. Muiznieks i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet më të larta për punën e suksesshme që kryesia shqiptare e radhës e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ka bërë dhe po vijon të bëjë gjatë kësaj periudhe të drejtimit nga ana e Shqipërisë. Komisioneri i KiE vlerësoi miratimin me konsensus të amendimeve të kuadrit ligjor të Kodit Zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e ODIHR dhe organizmave të tjerë ndërkombëtare, si Komisioni i Venecias, duke e vlerësuar atë si një garanci të rëndësishme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Në takim u diskutua gjithashtu edhe mbi hetimin e ngjarjeve të 21 janarit. Kryeministri Berisha i theksoi Komisionerit të KiE se “investigimi i plotë, gjithëpërfshirës i ngjarjeve, motiveve dhe përgjegjësve të kësaj ngjarjeje, është dhe mbetet thelbësore për vendin dhe se, qeveria shqiptare mbetet e vendosur për një hetim të thellë, të plotë, të paanshëm dhe gjithëpërfshirës të kësaj ngjarjeje, si kusht themelor për sjelljen e shkaktarëve përpara drejtësisë, çka do t’i bëjë një shërbim të madh konsolidimit të mëtejshëm të shtetit ligjor në vend”.
Për sa i përket çështjes së heqjes së imunitetit, Kryeministri Berisha i rikonfirmoi Komisionerit të KiE vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare që kjo nismë të realizohet, duke u dhënë mundësinë qytetarëve, nëse do të jetë e nevojshme, të shprehin vullnetin e tyre përmes referendumit popullor, si një hap cilësor në luftën kundër korrupsionit, konsolidimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e barazisë së të gjithë qytetarëve përpara ligjit. Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në KiE, Nils Muiznieks, e falënderoi Kryeministrin Berisha dhe i shprehu vlerësimet e tij edhe për kontributin e qeverisë shqiptare për sa i përket konsolidimit të pavarësisë së institucionit të Avokatit të Popullit dhe Komisionerit kundër Diskriminimit në Shqipëri. Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, Komisioneri KiE, Nils Muiznieks, i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet dhe mirënjohjen e tij dhe të Zyrës që ai drejton, për qëndrimin konstruktiv e të moderuar dhe për kontributin e Shqipërisë në shërbim të paqes dhe promovimit të bashkëpunimit e miqësisë në rajon. Kryeministri Berisha e siguroi atë se Shqipëria do të vijojë kontributin e saj në shërbim të paqes dhe në konsolidimin e miqësisë, bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira në rajon. Por, ai shfrytëzoi rastin për t’i theksuar Nils Muiznieks se fenomeni i albanofobisë vijon të përbëjë një shqetësim serioz, që fatkeqësisht edhe sot shfaqet herë pas here në vendet e rajonit tonë. Këto qëndrime, të bazuara mbi doktrina diskriminimi racist ndaj shqiptarëve, janë dhe do të mbeten përherë të pa pranueshme nga shqiptarët, në cilëndo formë që ato të shfaqen.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›