Ish-amb. serb në Gjermani, takimi Daçiç-Thaçi do ketë jehonë në BE

Ish-ambasadori i Serbisë në Gjermani, Ognjen Pribiqeviç, ka thënë se takimi i kryeministrit serb, Ivica Daçiç, me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, do të ketë jehonë të madhe në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, ai është shenja e parë pozitive pas “një sërë lajmesh të këqija dhe konfuze nga Serbia”.
“Do të ketë me siguri vërejtje publike se përse ka ardhur deri tek ai takim, por ato nuk qëndrojnë derisa procesi i dialogut me Prishtinën nuk bie ndesh me Kushtetutën”, ka thënë Pribiqeviç, raportojnë mediat serbe.
Në Bruksel është zhvilluar sot takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, homologut të tij serb, Ivica Daçiç, dhe shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
Baronesha e ka cilësuar takimin si konstruktiv, kurse presidenca e Kosovës e ka mirëpritur atë.