Takimi, Thaçi: Kapitull i ri për normalizimin e marrëdhënieve

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se takimi ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiç, nën praninë e kryediplomates evropiane, Catherine Ashton, është zhvilluar me qëllim të vazhdimit të dialogut Prishtinë-Beograd.
“Të gjitha palët në takim janë pajtuar dhe kanë shprehur përkushtimin që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të vazhdojë”, thuhet në komunikatën dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit.
Po sipas saj, takimi do të thotë një kapitull i ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane.
“Ky proces patjetër që do e përshpejtojë integrimin e dy shteteve në BE dhe do të jetë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon”, citohet të ketë thënë zoti Thaçi.