E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-boksieri i vrarë, vjehrri: Policia e dinte që e kërcënonin

TIRANE- 'Adriani kishte marrë disa kërcënime edhe më parë...' Policia ishte në dijeni të konfliktit që ai kishte". Kështu shprehet për "Gazetën Shqiptare", vjehrri i 28-vjeçarit Adrian Levanti, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së enjtes pranë banesës së tij. Dita e djeshme duhej të ishte ditë gëzimi në familjen Levanti, për shkak se djali i Adrianit mbushte një vjeç, por në vend të gëzimit në këtë familje ishin hapur dyert e mortit. "Më lini vetëm ta shikoj dhe nuk do bëj më asgjë", dëgjoheshin fjalët e nënës së tij që larg. Por, dhimbja është e dyfishtë për bashkëshorten e 28-vjeçarit, e cila tashmë jo vetëm duhet që të përballojë jetën e vetme, por duhet edhe që të ketë forcë për të rritur birin e saj, i cili, ditën që iu vra i ati, mbushte vetëm një vjeç. "Më mori natën e vrasjes në telefon dhe më tha që, 'nesër (dje) hajde në drekë nga ne, sepse kemi ditëlindjen e djalit'", pohon vjehrri i Adrianit. Të gjithë po përgatiteshin për drekën e ditëlindjes, ndërkohë që kanë marrë lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të 28-vjeçarit Levanti. "Nuk na e kishte marrë mendja se punët do të arrinin deri në këtë pikë. Adriani ishte kërcënuar edhe më parë dhe këtë e dinte edhe policia, por ata nuk e morën parasysh", - vijon rrëfimin e tij, vjehrri i Adrianit.
Dëshmia
"Ndjeva hapat aty rreth orës 00:03 minuta dhe mbajta frymën. Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte". Kështu e nis fjalën e tij, një nga banorët e pallatit ku prej kohësh banonte edhe 28-vjeçari Adrian Levanti. Ai tregon se ka dëgjuar hapa të një personi i cili vraponte nëpër shkallë. "Derën nuk e hapa, por pashë nga syri magjik, ku vura re një njeri me kapele që mbante një pistoletë në dorë", - vazhdon rrëfimin e tij, banori i pallatit. Ai i kujton me vështirësi ato momente, por pa e fshehur dot shqetësimin që ka pësuar. "Nuk e mbaj mend mirë sa herë ka qëlluar autori i vrasjes", - pohon dëshmitari. Sipas tij, kanë qenë dy persona që kanë ndjekur nëpër shkallë 28-vjeçarin. "Njërin e fiksova, se kishte një kapele, një xhaketë dhe një palë xhinse, ndërsa tjetrin nuk e pashë, por nuk m'u dukën si 20 vjeç, por si më të mëdhenj në moshë", - rrëfen dëshmitari. Madje, ai hedh dyshime se mund të kenë qenë të njëjtët persona me të cilët Adriani është zënë në muajin mars. "U zunë poshtë pallatit, bashkë me vëllain e tij, me dy djem të tjerë. Fillimisht u zunë me grushte dhe më pas me thikë, erdhi edhe policia. Kam përshtypjen se janë zënë për shkak se këto djemtë ishin konsumatorë hashashi dhe duke qenë se pak kohë më parë Adriani ka qenë menaxher i pallatit, ai nuk i kanë lënë që ta pinë poshtë pallatit", - bën me dije banori i pallatit, duke pohuar se nga hutimi nuk e mban mend se pas sa minutash ka ardhur policia në vendin e ngjarjes. Një tjetër banore e pallatit ku ka ndodhur vrasja, tregon se "në momentin që më ka trokitur policia tek dera, kur e hapa, pashë këmbët e viktimës tek dera ime. U tmerrova. U dhashë një çarçaf që ta mbulonin, por kam qenë në gjumë kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kam dëgjuar gjë, mendova se ishin fishekzjarrë".
Hetimet
28-vjeçari Adrian Levanti u ekzekutua dy ditë më parë, teksa kthehej në shtëpi në zonën e Unazës së Re në Tiranë. Sipas policisë, të riut iu zu pritë poshtë pallatit të tij, teksa mendohet se 28-vjeçari, i ka njohur personat që po e ndiqnin dhe ka tentuar të shpëtojë jetën duke u ngjitur në katin e shtatë të pallatit ku jetonte, pa mundur të futej dot në banesën e tij. Sipas ekspertëve të balistikës, Levanti është qëlluar shtatë herë me pistoletë në kraharor. Burime nga policia sqarojnë, se dyshohet se vrasja e tij ka lidhje me një konflikt të një muaji më parë në të njëjtën zonë, ku pas një grindjeje banale në muajin mars, vëllai i viktimës Marianth Levanti ka plagosur me thikë Zef Gjinin, ndërkohë që gjykata pas kësaj ngjarjeje i ka dhënë atij lirinë, duke vendosur masën e detyrimit me paraqitje. Ndërkohë, forcat e policisë për këtë krim kanë ndaluar shtetasin Pjetër Gjini dhe është shpallur në kërkim vëllai i tij, Zefi. Mësohet se para strukturave të policisë, Gjini nuk e ka pranuar autorësinë e krimit, duke e vështirësuar edhe më tej punën e policisë për zbardhjen e ngjarjes.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›