E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjakmarrja, ekzekutohet në pritë babai i 6 fëmijëve

Vritet në pritë një 65-vjeçar nga Lezha. Marash Kolndreu, baba i 6 fëmijëve është qëlluar me breshëri automatiku rreth 100 metra nga banesa e tij. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Torrovicë. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, blutë kanë mundur të identifikojnë autorët e krimit, të cilët janë shpallur në kërkim. Burime pranë grupit hetimor pohojnë se pista kryesore e hetimit është ajo e gjakmarrjes. Mësohet se para 30 vitesh, xhaxhai i viktimës ka vrarë një person në Tropojë. Po hetohet intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien në pranga të ekzekutorëve.
VRASJA
Dje, rreth orës 07:30, Marash Kolndreu ka marrë një telefonatë. Ai është "ftuar" për të pirë një kafe në qendër të fshatit Torrovicë. Pavarësisht se nuk i njihte personat që i kanë telefonuar, 65-vjeçari ka pranuar t'i takojë dhe të pinte kafe me ta. Vetëm 100 metra larg shtëpisë, Kolndreu ka rënë në pritë. Autorët e pritës (dyshohet të kenë qenë dy persona) e kanë qëlluar Kolndreun me breshëri automatiku. Për pasojë, ai është plagosur rëndë me tre plumba në trup. Viktima është dërguar urgjentisht në Spitalin Rajonal të Lezhës, por ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra. Ndërkohë, dëshmitar i krimit është bërë nipi i viktimës, i cili është vënë në ndjekje të vrasësve me motor. Sipas policisë lokale, autorët e krimit janë larguar në drejtim të Shkodrës me një automjet 'fuoristradë' me xhama të zinj. Vrasja e 65-vjeçarit ka tronditur familjarët dhe të afërmit e tij si dhe banorët e fshatit të Torrovicës. Forca të shumta policore kanë shkuar në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të ekzekutorëve. Blutë kanë krehur gjithë zonën, ndërsa kanë ngritur postblloqe të shumta në akset rrugore të Lezhës. 

HETIMI
Dëshmia e dhënë nga nipi i Marash Kolndreut ka ndihmuar policinë e Lezhës për zbardhjen e ngjarjes. Pohohet se nipi i viktimës i ka njohur vrasësit dhe se pista kryesore e hetimit është ajo e gjakmarrjes. Burimet e mësipërme shprehen se Kolndreu ishte nga Tropoja dhe se ishte shpërngulur me banim në Torrovicë në fillim të viteve '90-të. Kjo për t'iu shmangur gjakmarrjes. Mësohet se 3 dekada më parë, xhaxhai i viktimës kishte vrarë një person në Tropojë. Po të njëjtat burime deklarojnë se vrasësit e 65-vjeçarit dyshohet të jenë larguar për tu strehuar në Malësinë e Madhe, por nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë shkuar në Tropojë.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›