Ish-drejtori i SHIU-t: Nuk ka pasur sabotazh në Gërdec

DËSHMIA
Ish- kreu i shërbimit sekret të Ushtrisë deklaroi se kishin pasur këshilla për të bërë kujdes para anëtarësimit në NATO
Në seancën tjetër pritet të dëshmojë Rrahman Selmanllari, i njohur si mik i djalit të kryeministrit
TIRANË- "Shërbimi Informativ i Ushtrisë (SHIU), nuk ka pasur informacion për ndonjë akt të mundshëm sabotazhi apo kriminal lidhur me çështjen e shpërthimit të fabrikës së demontimit në Gërdec".
Kështu iu përgjigj pyetjes së prokurorit, në lidhje me dyshimet e ngritura për ndonjë akt kriminal apo sabotazhi në shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec, ish-shefi i Shërbimit Informativ të Ushtrisë (SHIU) Hysni Gjergji, tashmë shef sektori në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ish- shefi i SHIU-t, Gjergji dha detaje në lidhje me informacionet që struktura që ai drejtonte kishte për demontimin që kryhej në Gërdec.
"Nuk kemi pasur ndonjë informacion në lidhje me ndonjë akt sabotazhi, ankesash apo pakënaqësish në lidhje me demontimin në Gërdec dhe as informacion për ndonjë ngjarje kriminale aty"-nënvizoi Gjergji para trupit gjykues të drejtuar nga Ridvan Hado.
Por ai tha se Shqipërisë i ishte këshilluar të bënte kujdes për ndonjë akt të mundshëm sabotazhi para anëtarësimit në NATO. Një akti i tillë sipas tij, mund të kishte indicje nga vende për të cilat anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk është i mirëpritur.
"Në fund të vitit 2007, bashkë me ish- ministrin Mediu, kemi pasur një vizitë. Në atë vizitë, ne u këshilluam procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO mund të jetë objekt i ndonjë akti sabotazhi, nga shtete apo organizatat që nuk pëlqejnë anëtarësimin e Shqipërisë në strukturat e NATO-së- tha Gjegji.
Sipas tij, që nga ai takim e deri në kohën e largimit të tij nga detyra nuk ka pasur informacione për ndonjë akt të tillë nga struktura apo individë. Ish-shefi i SHIU-t, shtoi se se struktura e tij, kishte dijeni për demontimet që kryheshin në Gërdec, por jo detaje konkrete mbi të.
"Kam pasur dijeni që në ish-repartin e Gërdecit po kryheshin punime. Nga muaji prill deri në fund të vitit 2007 në disa takime jo formale në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kam mësuar se në Gërdec po zhvillohej një proces demontimi që drejtohej nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj.
Nuk e dija se kush e kryente demontimin. Por në kohën që unë drejtoja SHIU-n kemi bashkëpunuar me Policinë Ushtarake në lidhje me sigurinë e municioneve gjatë transportit nga depot e ndryshme në ish-repartin e Gërdecit në Vorë,- deklaroi ish-shefi i SHIU-të Gjergji. Ai mohoi në mënyrë kategorike se drejtuesit e asaj kohe të MEICO-së i kanë kërkuar informacion se çfarë përfaqësonte kompania "SAC".
Pas dëshmisë së Gjergjit para gjykatës dolën edhe tre dëshmitar të tjerë të akuzës, që provuan faktin e ngjarjes së 28 marsit 2008 ku nga shpërthimi i barutit humbën jetën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosen.
Pas dëshmisë së tyre, gjykata ndërpreu seancën gjyqësore duke urdhëruar paraqitjen e dëshmitarëve të tjerë të akuzës: Rahman Selmanllari, Durim Lila, Andi Belliu, Hysni e Plarent Ruka, , , , , Fiqiri Ismaili, Ilir Kodra, Ergys Qirici, Pranvera Kastrati, si dhe shumë të tjerë.