E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portrete të drobitura

Imazhi i gruas në mjedisin shqiptar në tablotë e ciklit "Gra të vetmuara" të Enkelejd Zonjës. Artisti 29-vjeçar i ka ftuar në "teatrin" e tij për t'u rrëfyer, për t'u revoltuar, për të marrë miratimin e audiencës


Gra të dëshpëruara, me vështrime të irrituar dhe çehre mavi veshin muret e dhomës së një apartamenti të vogël fshehur mes pallateve të larta të ish-Bllokut.


Në tryezë janë shpërndarë rrëmujë penela, bojëra, skica, fotografi, libra arti. Në këtë studio dhe nën tingujt "Resonance-The Sacred Reed" të Carlos Nakait që dalin nga një Ipod, Enkelejd Zonja ka kompozuar 10 pikturat e vetmisë, me protagoniste gruan.


Çdo kuadër qëndron më vete si sekuencë e dramës së gruas në familjen shqiptare. Është film që nuk i ikën kurrë koha, vetëm se "regjisorëve" u duhet të shtojnë episode sa herë që e marrin në duar skenarin, i cili në thelb ngelet po ai.


Për të parën herë, Enkelejdi e pa vetminë në sytë e nënës së tij, që merakoset për të gjithë dhe për gjithçka brenda dhe jashtë pragut. I frymëzuar nga artistët konceptualë Edëard Hopper dhe Olaf Erëin, që kanë bërë apel me artin e tyre për pozicionin e femrës në shoqëri, e përballë një realiteti që i fshikullohet çdo ditë atij vetë, 29-vjeçari krijoi ciklin "Gra të vetmuara". Katër nga tablotë ai i prezantoi në edicionin e këtij viti të Çmimit të Artit Bashkëkohor "Ardhje 2010".


I ulur në karrigen prej kashte, piktori tregon se si është ndeshur me portretin më të gjallë, më të vërtetin e gjithë ciklit: "Sa del 200 metra nga zona e Qendrës përballesh me situata dramatike. Unë jetoj afër spitalit "Nënë Tereza", një zonë rurale, informale, me tregun afër.


Kur futesh nëpër rrugica, anës rrugës, shikon femra që bëjnë punë të vështira, shikon fytyra të vuajtura, të dëshpëruara që të mbeten në kujtesë".


Model tjetër të femrës së vetmuar në ciklin e tij është femra në socializëm. E shohim në një ambient të ngrohtë familjar, por sërish me dëshpërimin e vulosur në fytyrë; femra moderne të mbytur me punët jashtë shtëpisë ku i reflektohen dilema dhe një gjendje e dyshimtë psikologjike; femra anoreksike; femra me fizik si të mashkullit që njerëzit i rrinë larg, e përçmojnë.


Të gjitha janë të vetmuara, të shohin drejt e në sy, sikur të donin të merrnin miratimin e njeriut që po i vrojton.


Enkelejdit i pëlqen që njerëzit ta interpretojnë në mënyra të ndryshme pikturën që ai bën dhe që nuk e shohin si "fasadë perfekte, por që gërmojnë dhe zbulojnë brenda tyre". Për të kuptuar rrugët dhe motivet që e çojnë gruan e mjedisit shqiptar tek vetmia, që për vetë artistin janë të qarta: "Dominimi mashkullor, mundësitë që i ofron realiteti dhe vetemancipimi i saj. Një emancipim jo si lëmoshë, jo duke pritur mashkullin për ta shpëtuar."


Enkelejdit vetë i pëlqen të rrethohet nga njerëz.


Por në momentet që do të krijojë, "të shpërthejë", i duhet vetmia për të lundruar i qetë në botën e tij të kërkimit, të temave që e ngacmojnë, për të ngjizur atë që po rrokulliset brenda tij.


"I vetmuar mund të ndihesh mes një turme njerëzish po aq sa kur je fillikat, kur ajo që t'i kërkon në realitetin tënd bëhet e pamundur dhe në vend të mbështetesh dhunohesh dyfish", thotë ai. Artisti nuk i largohet shëmtisë së realitetit, llumit dhe baltës.


Ajo është lënda e parë e "teatrit" të tij, ku rrëfen, provokon, kritikon mjedisin. "Për një kohë të gjatë, arti në Shqipëri është përdorur si një formë e propagandës, në favor të pushtetit, të politikës, të situatës psiko-sociale. Unë dua dhe kërkoj të bëj të kundërtën. Arti post-modern është i drejtpërdrejtë dhe therës.


Flet troç dhe pastër në forma ngandonjëherë tragjike.
Dikush thotë që ironia është një mjet inteligjent për të kritikuar", vijon ai bisedën.
Kur hyn në studio, në murin përballë nuk mund të mos e vëresh një pikturë në mur, e frymëzuar nga "Ringjallja e Krishtit" e Caravaggios.


Dy burra rreth të pesëdhjetave që vendosin gjithë çudi gishtin në kraharorin e prerë si me thikë të diktatorit Hoxha, që ka ngritur bluzën deri në nivelin e gjoksit.


Një i ri krah tyre, me një kanoçe Coca-Cola në dorë, me kokë të rruar, ironizon veprimet e tyre. Këtë vepër të sapo përfunduar të tijën, duket sikur piktori kërkon ta mbajë për veten dhe nuk e ekspozon derisa dikush ta ftojë. Nuk kuptohet qartë stepja e Zonjës për ta ekspozuar. Ka njëfarë droje e nxitur edhe nga familja e tij.


Enkelejdi dëshiron të endet gjatë në këtë lloj arti, pak teatër, pak thumbues. Nuk e shqetëson gjetja e mjeteve, teknikës për t'u shprehur, sesa koncepti që lind tablonë. "Unë pikturoj se më bën të ndihem mirë dhe e shoh artin një mënyrë për t'u argëtuar."


Ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet me rëndësi në fushën e arteve pamore të zhvilluara vitet e fundit. Më 2009 konkurroi për Çmimin Bashkëkohor "Ardhje", mori pjesë në Bienalen e Tiranës dhe në Konkursin Ndërkombëtar të Arteve Pamore "Onufri 2009" ku u vlerësua me çmim të dytë. Së fundmi, nga konkurrimi në "Ardhje 2010" siguroi të drejtën për t'u bërë artist rezident i Institutit të Artit Bashkëkohor "TICA".


Ai mendon se nga kjo eksperiencë do të përfitojë kontaktet me artistë të tjerë të Ballkanit. Si atëherë kur ndoqi një vit studimi në Akademinë Mbretërore të Stokholmit, ku fitoi më shumë qartësi dhe ndjeshmërinë për një këndvështrim të ri të dimensioneve që duhen eksploruar.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›