E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja, pyeten familja dhe miqtë e Franc Konomit

Hetimet e policisë mësohet se janë përqendruar vetëm në pistën e prishjes së pazareve në lidhje me trafikun e drogës


Policia kërkoi informacion për personat me të cilët ka qëndruar viktima ditët e fundit para vrasjes


TIRANE- Pjesëtarë të familjes së Franc Konomit (Pojana) dhe të afërm u pyetën dje për katër orë me radhë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për të marrë sa më shumë detaje të reja të mundshme në lidhje me miqtë njohjet dhe problemet e mundshme që mund të ketë qenë duke kaluar njeriu i tyre përpara se të ekzekutohej.


Burimet konfirmuan se është pyetur një e afërme e Franc Konomit, një mik i ngushtë i familjes, me të cilin mësohet se Konomi kishte marrëdhënie të ngushta biznesi si dhe disa miq e të njohur të tjerë, ndaj të cilëve janë kërkuar informacione dhe të dhëna mbi marrëdhëniet që ka pasur Konomi, me persona të ndryshëm.


Në të gjithë rastet, personat e pyetur kanë dhënë shumë pak detaje të rëndësishme që mund të ndihmonin hetuesit në lidhje me zbulimin e motiveve dhe autorëve të mundshëm të vrasjes së Franc Konomit.


Burime të policisë së kryeqytetit, pohuan dje për "Shekullin", se të dhënat e përftuara, nuk kanë dhënë ndonjë detaj më tepër në lidhje me persona konkretë me të cilët mund të ketë pasur konflikte apo mosmarrëveshje me persona të mundshëm.


Pjesëtarë të familjes së Konomit, mësohet se kanë pohuar se e vetmja gjë e re e kohëve të fundit, ishte fakti që Franci kishte blerë një autoveturë të markës "Mercedez- Benz", por që çdo gjë kishte shkuar në rregull.


Një tjetër person i pyetur sipas burimeve është një mik i afërm i Konomit, pronar i një lokali me të cilin ai kishte marrëdhënie biznesi. Pikërisht në lokalin e tij, Franc Konomi mësohet se kishte kaluar mjaft kohë gjatë ditëve të fundit, përpara se ai të ekzekutohej në veturën e tij në sheshin "Avni Rustemi", nga dy persona që u larguan me një motorr.


Ky i fundit mësohet se është pyetur mbi bisedat që kishte kryer me mikun e tij, si dhe personat me të cilët ai kishte qëndruar ditët e fundit në lokal. Pavarësisht kësaj, burimet e policisë pohuan se të dhënat e fituara nuk kanë qenë shumë të vlefshme për hetimin.


Pista e drogës ?


Nga verifikimet e kryera gjatë këtyre ditëve, policia e kryeqytetit ka vënë re se pistat e hakmarrjes për shkak se ai ishte i dyshuar për vrasjen Gaz Muçës në vitin 1992, janë rrëzuar.


Po kështu edhe pista të tjera që lidhen me përplasje në lidhje me personat që i përkasin këtij grupi, janë rrëzuar nga specialistët e hetimit të policisë. Në këtë mënyrë versioni i vetëm hetimor që policia po merr në konsideratë është ajo e përfshirjes së Konomit në një aferë të mundshme të trafikut të drogës.


Sipas hetuesve, për këtë pistë nuk ka ende prova të mjaftueshme dhe bindëse, që së paku të hedhin dritë mbi ndonjë konflikt të mundshëm në këtë drejtim. Pavarësisht kësaj, puna e policisë është orientuar në këtë kah.


Dyshimet e tyre janë se Franc Konomi, mund të jetë përfshirë në ndonjë rrjet të trafikut të drogës, por duke shkaktuar edhe prishje të pazareve në lidhje me një aferë të tillë të mundshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›