Shkodër, 10 familje rrezikojnë shembjen e banesave

Shembjet/ Lumi Drin përbën rrezikë për disa familje të fshatit Ashtë në Bushat. Gërryerjet kanë përparuar, ndërkohë që banorët kërkojnë ndihmë nga shteti për shtëpi të tjera
SHKODËR - Banorët e fshatit Ashtë në komunën e Bushatit, të cilëve u rrezikohen banesat nga shembja e tokës prej depërtimit të lumit Drin, shprehin shqetësimin pasi deri tani asgjë nuk është bërë për të mundësuar sistemimin e tyre diku tjetër. Pas përmbytjeve të janarit të këtij viti, shtimi i rrjedhës së lumit Drin u shoqërua me gërryerje të tokës në fshatin Ashtë të komunës së Bushatit duke përparuar çdo ditë në drejtim të 10 banesave që rrezikohen të shemben.
Sipas banorëve, ajo që përjetuan ka qenë e tmerrshme, pasi ruanin gjithë natën me radhë se kur uji do të gërryente themelet e të merrte banesat e tyre. Por ata janë të shqetësuar se me gjithë premtimet e shtetit, ende nuk ka asnjë shenjë zgjidhjeje. "Dimri vjen shpejt dhe ne nuk mund të jetojnë dot në këto banesa.
Uji tani ka 7-8 metra thellësi dhe duke qenë verë, nuk ka rrjedhë të fortë dhe merr nga pak tokë, dhe jo si në dimër ku toka merrej nga uji me shpejtësi dhe ai u afrohej banesave. Dëmet janë të mëdha se ka shkuar nën ujë mbi gjysma e tokës dhe qindra rrënjë drurë frutorë, por ne kemi hallin e banesave. Shteti pati hedhur bunkerë në ujë për ta penguar disi, por uji nuk pengohet kollaj.
Na vendosën në çadra, por gjithçka ishte e përkohshme, - thonë ata. - Ne kemi hallin e asaj që do vijë. Nuk kemi ku të shkojmë. Ka ardhë një komision nga shteti bashkë me kryetarin e komunës dhe kanë matur shtëpitë. Ne duam të vendosemi në kodër, se atje nuk arrin uji. E dimë se shteti nuk ka tokë me na e fal, por ne kemi tokën tonë dhe në kodër, por nuk kemi mundësi financiare me ndërtu shtëpitë. Për këtë duam që shteti të na ndihmojë.
Nuk kemi me çfarë të jetojmë, dhe për të ndërtuar vetë shtëpi as që bëhet fjalë. Po na zuri dimri në këtë hall, ne kemi mbaruar. Nuk kemi as njerëz në emigracion me na ndihmu, por dhe me pasë, ata kanë hallet e tyre.
Vetëm shteti mund ta bëjë këtë. Iku toka, por të shpëtojmë shtëpitë dhe të kemi një vend ku të fusim kokën", shprehen banorët e Ashtës të rrezikuar nga shembja e banesave, si pasojë e gërryerjes së tokës nga lumi Drin. Ato shtojnë se janë interesuar shpesh dhe drejtuesit e komunës janë të interesuar për të gjetur zgjidhje, por duhen fonde nga shteti.
"Kemi dëgjuar se këtë vit nuk do të ketë investime pasi nuk ka lekë shteti, dhe për këtë jemi më të trembur se kemi frikë se nuk do na ndihmojnë për të ngritur shtëpi në kodra apo për të na zhvendosur diku tjetër. Vetëm tek shteti shpresojmë, ndryshe do mbetemi në mes të katër rrugëve, pa shtëpi mbi kokë", thonë banorët e 10 shtëpive të rrezikuara në fshatin Ashtë.