Ish-drejtori i ministrisë, në akuzë për falsifikim diplome
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Tiranës ngriti akuzë penale për falsifikim dhe mbajtje të dokumenteve zyrtare ndaj ish-zyrtarit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të organit të akuzës, sipas të cilave gjatë hetimeve të zhvilluara ndaj Madanit për abuzime në dhënien e licencave për importimin e lëndëve plasëse, u zbulua se zyrtari 44-vjeçar kishte një diplomë false të Universitetit të Kamzës. “Eshtë ngritur akuzë për mbajtje dokumentesh zyrtare të falsifikuara ndaj shtetasit Shkëlzen Madani, 44 vjeç, banues në Tiranë, ish-drejtor i Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes”, thanë më tej burimet zyrtare nga Prokuroria. Sipas tyre, Madani u arrestua së bashku me tre persona të tjerë në ditët e para të muajit maj 2008, me akuzën e abuzimit dhe korrupsionit gjatë procedurave të dhënies së lejeve të importit të lëndëve eksplozive për firmat private. Sipas denoncimit të paraqitur në Prokurori dhe më pas sipas hetimeve të zhvilluara nga njësia Task-Forcë, dyshohet se Shkëlzen Madani në bashkëpunim me tre të arrestuarit kishte dhënë leje importi për lëndë eksplozive për ato firma të cilat kanë paguar shuma ryshfeti tek ai me vlera të paktën deri në 2 mijë euro për çdo rast.
Falsifikimi i diplomës
Menjëherë pas arrestimit të Shkëlzen Madanit, Prokuroria dërgoi hetuesit e saj në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilët sekuestruan dokumente të shumta zyrtare. Shumica e tyre bënin fjalë për procedurat e ndjekura nga Shkëlzen Madani gjatë veprimeve për të cilat ai u mor i pandehur, ndërsa u sekuestrua edhe dosja e tij personale në të cilën gjatë verifikimit u gjet edhe diploma false. Pas dyshimeve të para mbi vërtetësinë e dokumentit, hetuesit bënë verifikimet e tyre fillimisht në amzën e Universitetit të Kamzës dhe më pas me anë të ekspertimeve shkencore grafike. Nga këto verifikime rezultoi se diploma me të cilën Shkëlzen Madani ishte punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes ishte falsifikuar, pasi të dhënat që ajo përmbante nuk ndodheshin në amzën e Universitetit të Kamzës. Pas verifikimeve të nevojshme procedurale, Prokuroria mësoi se falsifikimi ishte kryer prej Shkëlzen Madanit dhe menjëherë u ngrit akuzë ndaj tij. Ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes akuzohet se ka qenë në dijeni të dokumentit fals, të cilin e ka mbajtur dhe e ka vënë në përdorim për të realizuar përmbushjen e detyrës së tij. Prokuroria e Tiranës konfirmoi se ka përfunduar shumicën e veprimeve hetimore që lidhen me dosjen penale në të cilën Shkëlzen Madani akuzohet për korrupsion të personave që ushtrojnë funksione publike në bashkëpunim me tre të dyshuar të tjerë. tr.so