Itali, kapen për trafik 15 shqiptarë
ITALI – Policia e Bolonjës finalizoi dje operacionin antidrogë të koduar “Dallëndyshja”, duke goditur një bandë shqiptare të trafikut ndërkombëtar të heroinës. Organizata ku dominonin shtetasit shqiptarë çonte në Itali çdo muaj rreth 23-30 kilogramë heroinë të një cilësie tepër të lartë. Në përfundim të operacionit, i koduar sipas emrit të një prej bashkëshorteve të shpërndarësve, policia italiane ka mundur të sekuestrojë një sasi prej 90 kilogramësh lëndë narkotike. Mendohet se kreu i këtij grupi ka qenë Arjan Beqiri, i arrestuar më 22 tetor 2008 në Cesena. “Policia e Bolonjës ka përfunduar një operacion me të cilin ka shpartalluar një grup kriminal të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, citonte dje agjencia italiane e lajmeve “ANSA”. Mësohet se 9 prej tyre janë arrestuar në kushtet e flagrancës, ndërsa pjesa tjetër me anë të urdhër-arresteve. Sipas policisë së vendit fqinj, hetimet për zbulimin e rrjetit të trafikantëve kanë filluar që në muajin gusht të vitit të kaluar. Kanë qenë zbulimi i disa sasive të vogla të drogës, ato që kanë dhënë indicet për fillimin e një hetimi që do të zbardhte më vonë trafikun nga Maqedonia në Itali. Mësohet se droga vinte nga Maqedonia dhe pasi kalonte transit në automjete me korrierë maqedonas në Shqipëri, ajo shkonte në Itali. Sipas hetimeve, grupi mund të trafikonte deri në 30 kilogramë heroinë në muaj. Pas mbërritjes në Itali droga shpërndahej e gjitha në tregun e këtij vendi. Në shumë pak ditë lënda narkotike përfundonte në duart e shpërndarësve të vegjël në Bolonja, Piza, Ferrara, Modena dhe Ravante. Po dje dy të rinj shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane në Specia. Sipas policisë së vendit fqinj, E.Nebiaj, 25 vjeç dhe R.Abazaj, 20 vjeç, u prangosën pasi policia gjeti në shtëpinë e tyre 2.6 kilogramë heroinë, si dhe një sasi prej 6 kilogramësh përzierës. Mësohet se pas përgatitjes, droga ishte e destinuar në tregun vendas. ar.ba