E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit,ndalohet të pozojë besimtarja me shami

 

Fatos Mahmutaj 

Shamia e një gruaje myslimaneje shkaktoi dje anomalinë e parë për punonjësit e ngarkuar me aplikimet për kartat e identitetit në Tiranë. Shamia e gruas ishte pengesë për foton, por duket se çështja është zgjidhur me një kompromis, që bashkëshorti i saj bëri me punonjëset e qendrës për të bërë foton me shami. Pas kësaj, gruas nuk i është dhënë garanci nëse do të prodhohej karta e identitetit edhe pse aplikimi është pranuar. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pasditen e së premtes në ambientet e njësisë bashkiake numër 4 në kryeqytet, kur besimtarja myslimane është paraqitur për të kryer procedurat e aplikimit për t’u pajisur me kartën e identitetit. Pasi ka paraqitur kuponin që kishte marrë në Postë, punonjëset i kanë kërkuar asaj të heqë shaminë nga koka për të bërë fotografinë. Aplikantja nuk ka pranuar duke pretenduar se feja, të cilën ajo praktikon e ndalon një veprim të tillë. Pas kësaj ajo ka komunikuar me bashkëshortin, i cili pasi ka mbërritur aty u ka kërkuar punonjësve që ta njihnin me procedurat ligjore të aplikimit. Nëse sipas tij, punonjësit do të refuzonin pranimin e kërkesës, atëherë këtë gjë duhet ta bënin zyrtarisht dhe me shkrim, në mënyrë që bashkëshortja e tij të kishte mundësi të ndiqte procedurat ligjore në gjykatë dhe institucione të tjera. 
Aplikimi
Argumentet e paraqitura nga aplikantja dhe bashkëshorti i saj me iniciale S.K., 29 vjeç, ishte se feja islame, ndjekës të së cilës janë dy bashkëshortët e ndalon daljen e femrës në vende publike pa shami në kokë. Sipas tyre, është detyrim fetar, që femrat besimtare të mbulojnë trupin me veshje, si dhe flokët dhe veshët me shami. Pretendimi që ka paraqitur bashkëshorti i aplikantes ishte se shamia në kokën e gruas së tij do të ishte e tepërt nëse ajo do të bënte foton e kartës pa shami. Kjo për faktin se fotoja e kartës mund të shihet nga persona të tjerë, çka nxjerr të pavlerë mbajtjen e shamisë. Pas këtyre pretendimeve të paraqitura nga aplikanti, punonjësit janë detyruar të konsultoheshin me anë të telefonit me drejtuesit e tyre. Gjatë bisedës telefonike atyre u është thënë që të pranonin aplikimin e besimtares dhe foton e saj, ndërsa e kanë vënë në dijeni aplikuesen dhe bashkëshortin e saj se prodhimi i kartës së identitetit për të do të diskutohej në qendër dhe se për gjithçka do të njoftoheshin nëpërmjet telefonit. Aplikueses myslimane i është bërë me dije se nëse institucioni i prodhimit të kartave nuk do pranonte nxjerrjen e dokumentit të identitetit atëherë asaj i duhej të aplikonte sërish, duke bërë foto pa shami.
Reagimi
Besimtarët në xhamitë e kryeqytetit e kanë pritur të indinjuar këtë problem. Sipas tyre, janë mjaft vajza dhe gra myslimane që mbajnë shami në kokë dhe do të aplikojnë në ditët në vazhdim për t’u pajisur me karta identiteti, ndërkohë që Saimir Rysheku nënkryetar i Komunitetit Mysliman,  i kontaktuar dje nëpërmjet telefonit nuk pranoi të shprehet për rastin në fjalë. Sipas tij, ky institucion priste të hënën për të marrë zyrtarisht ankesën e 29-vjeçarit dhe pas kësaj do të jepte një prononcim zyrtar. Ndërkohë bashkëshorti i aplikantes pohoi dje se bashkëshortja e tij dispononte pasaportë për jashtë shtetit, të cilën e kishte nxjerrë shumë vite më parë dhe foton e kishte bërë pa shami. Po kështu, bëhet e ditur se ligji parashikon fotografimin e aplikantëve pa syza dhe shami.

Zv/ministri Poni: Do të zbatohen rregullat

TIRANE – Zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni, i angazhuar direkt me çështjen e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, tha dje se shteti nuk do të tolerojë për të vënë në diskutim sigurinë dhe rregullsinë e dokumenteve të reja të identitetit. Numri dy i Ministrisë së Brendshme, duke pranuar se rasti i gruas me shami është një precedent, që duhet të shikohet nga ekspertët, tha se për të gjithë shtetasit janë vendosur dhe do të zbatohen rregulla të barabarta dhe strikte. “Në rast se imazhi i personit, që do të mbajë kartën nuk është i plotë kjo është problem. Në rast se nuk duken veshët, gjerësia apo gjatësia e kafkës, sytë, flokët apo elementë të tjerë që më mirë mund t’i listojnë ekspertët”, tha zv/ministri Poni gjatë komunikimit me gazetën “Panorama”. Ai megjithatë, pohoi se autoritetet shtetërore janë të vendosura të zbatojnë rregullat në mënyrë strikte me qëllim që të mos cenohet për asnjë moment serioziteti dhe siguria e kartave të identitetit. “Rasti i gruas me shami ndoshta mund të trajtohet më pas në mënyrë specifike, por ky është një proces aq i madh dhe aq i rëndësishëm saqë nuk mund të cenohet nga fakti, se një qytetar do të heqë apo jo shaminë apo syzat”, tha zv/ministri Poni.

“Komuniteti rom të mos paguajë paratë për kartën, është i varfër”

KORÇE - “Për shkak të varfërisë ekstreme në të cilën jeton komuniteti rom, nuk do të pajiset me kartat e identitetit. Për pasojë vetëm në qytetin e Korçës nuk do të mund të votojnë rreth 3000 votues, që i përkasin këtij komuniteti”. Këtë pohim e ka bërë kryetari i shoqatës rome “Disudni Albania”, njëherësh edhe koordinatori i Grupit Shqiptar të së Drejtave të Njeriut Arben Kosturi. Ai i ka bërë thirrje qeverisë që të shmangë nga pagesa prej 1200 lekë komunitetin rom, i cili ka një përqindje shumë të lartë papunësie dhe një shkallë ekstreme varfërie. Gjithmonë duke iu referuar të dhënave statistikore, që ka ky drejtues i komunitetit rom, mësohet se në qytetin e Korçës jetojnë rreth 800 familje, të cilat në shumë raste kanë në përbërje të tyre familje të mëdha me nga dy e më shumë kurorë. Gati të gjithë janë të papunë, përveç 30 familjeve që tregtojnë në Pazarin e Korçës, 8 familje që jetojnë me ndihmë ekonomike dhe 13 të tjera që kanë një e më shumë pjesëtarë të sëmurë dhe që jetojnë me pagesën e kempit. “Të tjerët, - është shprehur Kosturi, - nuk kanë asnjë të ardhur me të cilën të paguajnë kartën e identitetit. Për pasojë ata jo vetëm që nuk do të votojnë, por do të jenë të diskriminuar e të përjashtuar nga avantazhet, që në të ardhmen do t’u afrojë shteti shtetasve të tij. Një diskriminim të tillë asnjëherë nuk e ka pasur komuniteti rom në të kaluarën”. Përveç thirrjes që ai i drejton shtetit dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, për t’i përjashtuar romët nga pagesa për kartën e identitetit, Kosturi është shprehur se pas miratimit të kërkesës së mësipërme të tyre shoqata që ai drejton do të japë ndihmë konkrete për shpërndarjen e këtyre kartave te romët e qytetit dhe të qarkut të Korçës.                j.gj

Elementët e sigurisë së kartave
Karta e identitetit, i cili është një dokument “parakusht” për pajisjen me pasaportë biometrike, përmban mes të tjerave edhe fotografinë e portretit të mbajtësit të saj. Fotoja është një nga elementet e sigurisë, pasi identifikon mbajtësin me anë të gjatësisë dhe gjerësisë së kafkës, ngjyrës së syve dhe flokëve dhe pamjes vizive.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›