E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-e dashura e kryeministrit britanik bëhet murgeshë

LONDËR - Ish-e dashura e kryeministrit britanik, David Cameron, vendosi të bëhej murgeshë pas betejës së gjatë me drogën dhe alkoolin.

44-vjeçarja Laura Adshead, u njoh me David në vitin 1990, kur të dy studionin në Universitetin e Oksfordit. Ata ishin bashkë për më tepër se një vit, kohë gjatë së cilës punuan të dy në zyrat e Partisë Konservatore, transmeton Mia.

Laura e la politikën pasi u nda me David dhe u largua për në Nju Jork, ku filloi të punonte për firmën e njohur Ogilvy & Mather. Por festat dhe aktivitetet sociale me milionerët e ekspozuan ndaj drogës dhe alkoolit, pre e të cilave u bë shumë shpejt. Por në vitin 2008, ajo vendosi të ndryshonte dhe u bë pjesë e një kuvendi murgeshash në Connecticut, SHBA.

Tashmë poshtë vellos së murgeshës duket se nuk ka mbetur asgjë nga gruaja që ishte më parë. Dikur me një jetë sociale shumë aktive e pjesë e festave të çmendura, tashmë Laura ujit lulet apo kujdeset për lopët.

Laura, e cila njihet tashmë me emrin motër John Mary, bëri betimin 4 vjet më parë, dhe është aktualisht në fazën e stazhit. Periudha e formimit të saj si murgeshë do të zgjasë 4 vjet e gjysmë, ndërsa më pas mund të marrë titullin “nënë”.

Historia e saj me ish-kryeministrn britanik ishte shumë intense dhe të dy e kanë vuajtur shumë ndarjen, siç lexohet edhe në biografinë e Cameron, që u publikua vitin e kaluar.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›