Ish-guvernatori Cani: Shqipëria e sotme, si ajo e viteve 80
Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani mendon se kriza e sotme ekonomike dhe mënyra se si qeveria po e trajton atë, është shumë e ngjashme me krizën e viteve 80 dhe mënyrën se si qeveria komuniste e asaj kohe veproi. Në një intervistë për Shqip, Cani thotë se vendi mund të shkojë në një krizë tjetër të ngjashme me atë të vitit 1990 nëse nuk ndryshon në kohë.
Kriza aktuale e shoqëruar me deklarata për mrekulli ekonomike nga Kryeministri Berisha më kujton gjithnjë e më shumë vitet 80, thotë Cani. Edhe në atë kohë, kishte parashikime jorealiste të të ardhurave që shoqëroheshin nga shkurtime të dhimbshme në mes të vitit. Por shkurtimet shkaktonin probleme të shumëfishta në linja të tëra prodhimi, thotë Cani, i cili në atë kohë punonte te departamenti i menaxhimit të valutës në Bankën e Shqipërisë.
Ndodhi që për 1 mijë dollarë shpenzime të shkurtuara, fabrika e shkrepëseve nuk qe në gjendje të prodhonte kutitë, kujton Cani. Ajo çfarë pasoi qe një krizë e kutive të shkrepëseve. Vendi mbeti i pafurnizuar me shkrepëse për muaj me radhë. Për shqiptarët që në atë kohë gatuanin me furnela me vajguri, mungesa e shkrepëseve qe një telash më vete.
Sot ekonomia është 80 për qind private dhe kriza të tilla nuk do të përsëriten. Por shkurtimet emergjente shkaktojnë gjithmonë probleme të tilla, shtoi Cani.
Shqipëria hyri në një periudhë të gjatë stanjacioni në vitet 80, e cila qe pasojë e një stanjacioni më të gjerë të ekonomisë së të gjithë botës. Megjithatë, qeveria e kohës refuzonte të pranonte krizën dhe vijonte të deklaronte vendin një fanar ndriçues, një ishull parajsë në një botë në flakë.
Situata duket se nuk është shumë ndryshe sot. Prej tre vjetësh, të ardhurat e qeverisë janë në stanjacion, ndërsa shpenzimet vijojnë të rriten, së bashku me borxhin publik. Për çdo vit, në qershor, qeveria është përpjekur të korrigjojë vetveten duke kryer shpenzime në buxhet, por këto shkurtime bëhen gjithnjë e më të vështira dhe gjithnjë e më të dhimbshme.
Këtë vit, qendra spitalore universitare Nënë Tereza mbeti praktikisht pa ilaçe gjatë muajve maj e qershor. Policia mbeti pa karburant për të patrulluar rrugët. Në institucione të ndryshme raportohet se mungon letra për të printuar dokumentet zyrtare.
Vendimi i qeverisë për tu marrë policëve paratë e paguara për lejet e pakryera në vitin 2010 duke i zëvendësuar këto para me pushime në masën 1.5 herë, sipas Ministrisë së Brendshme, rrezikon ta lërë vendin edhe pa efektiva policie në qarkullim, pasi brenda gjashtë muajve të ardhshëm, rreth 1000 policë duhet të kryejnë një muaj e gjysmë leje për vitin 2010 dhe një muaj leje për këtë vit.
Në fund, i gjithë kursimi i qeverisë nga kjo skemë pritet të shkojë në 60 milionë lekë, një shifër kjo minimale përballë gropës prej 42 miliardësh që mund të rezultojë te të ardhurat deri në fund të vitit.
Unë nuk e kuptoj dot se pse Berisha zgjodhi të thotë se vendin nuk e kapi kriza. Mund ta kishte më të lehtë tia vinte fajin krizës. Por duke zgjedhur idenë e një parajse të paprekur nga kriza, qeveria ia ndaloi vetes masat antikrizë, thotë Cani.
Është shumë e qartë se gjërat mund të shkojnë më keq. Qeveria po kërkon zgjidhjen e problemeve ekonomike te propaganda që mund të prodhojë. Por kjo propagandë nuk krijon dot të ardhme, thotë ish-guvernatori i BSH.
Ministria e Financave planifikoi të mbledhë 362 miliardë lekë të ardhura këtë vit dhe të realizojë shpenzime prej 409 miliardë lekësh. Problemi është që në gjashtëmujorin e parë të ardhurat qenë vetëm 155.3 miliardë lekë dhe në rast se ekonomia nuk përmirësohet, deri në fund të vitit të ardhurat mund të shkojnë në 310 miliardë. Me një deficit prej 42 miliardë lekësh në të ardhura, shkurtimet e planifikuara të qeverisë prej 18.4 miliardë lekësh janë të pamjaftueshme. Për më tepër, edhe shkurtimet e planifikuara duken jorealiste. Qeveria ka programuar të shkurtojë 4.5 miliardë lekë nga shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes një nismë kjo e provuar si e dështuar edhe në vitet e shkuara.
Sa herë që qeveria ka qenë në vështirësi ekonomike gjatë dhjetë viteve të fundit, aq herë ka tentuar të shkurtojë shpenzimet operative dhe rezultatet kanë qenë të dobëta.
Shqip